Bota

Shkencëtarët: Toka, një territor i paeksploruar nga ndryshimet e klimës!

Shkencëtarët nuk kanë asnjë dyshim: ky vit ka paraqitur prova të qarta se tashmë Toka është bërë një territor i paeksploruar teksa ndodhin ndryshimet klimatike. 2023-shi kishte shumë për të shënuar, duke filluar me valën e të nxehtit rekord që nuk kurseu as vendin tonë, për të vijuar me zjarre të mëdhenj që përfshinë Kanadanë, Greqinë e Hauain, flakë të paregjistruara më parë apo uragane me egërsi befasuese, si ai që shkatërroi Akapulkon javën e kaluar.

Këto fenomene po tregojnë se nuk është bërë përparim i madh në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë dhe për pasojë pritet që gjysma e popullsisë së botës të përballet me temperatura ekstreme, si edhe me mungesë ushqimi e po ashtu të ujit.

Ky është përfundimi në të cilin del një studim i ri nga studiues në Universitetin Shtetëror amerikan të Oregonit dhe institucione të tjera në mbarë botën, një dokument i cili ka tërhequr vëmendjen në rritje që nga publikimi i tij, javën e kaluar. Ata shkruajnë:

Si shkencëtarë, po na kërkohet gjithnjë e më shumë t’i tregojmë publikut të vërtetën për krizat me të cilat përballemi në terma të thjeshtë e të drejtpërdrejtë. E vërteta është se ne jemi të tronditur nga egërsia e ngjarjeve ekstreme të motit në vitin 2023. Kemi frikë nga territori i paeksploruar në të cilin kemi hyrë tani. Nga 35 shenjat vitale të shëndetit planetar, 20 janë në nivele rekord dhe shumica e tyre, në një mënyrë të dëmshme për mjedisin.

Edhe pse energjia e rinovueshme është në rritje dhe varfërimi i pyjeve tropikale po ngadalësohet, aciditeti i oqeaneve, trashësia e akullnajave e masa e akullit të Groenlandës kanë rënë në nivelet më të ulëta historike në dy vitet e fundit, ndërsa emetimet e gazrave serrë, rritja e nivelit të detit dhe temperaturat e oqeanit janë rritur në nivele rekord.