Aktualitet Sport

Shqipëri-Çeki, Veliaj: Të gjithë në sheshin “Skënderbej” për të mbështetur Kombëtaren!

Të gjithë ata që nuk kanë mundur të sigurojnë një biletë për ndeshjen deçizive Shqipëri-Çeki e që luhet më 12 tetor do të mund ta ndjekin në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton të gjithë qytetarët në shesh për të mbështetur kombëtaren kuqezi. Në një postim, Veliaj shkruan:

12 tetor-12 orë festë. Të gjithë, në sheshin “Skënderbej”, për të mbështetur kombëtaren kuqezi! Momentet më të bukura të kombëtares ndër vite, muzikë, energji shpërthyese, ndeshja dhe pse jo edhe festa e fitores! Hyrja e lirë.

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit po përgatitet që të rikthehet në aksion këtë muaj, pasi në program ka ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024”-ës ndaj Republikës Çeke, si dhe miqësoren me Bullgarinë. Një ditë më parë, trajneri Sylvio Mendes Campos Junior shpalli edhe listën e futbollistëve që ai do të ketë në dispozicion.

Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Republikës Çeke e Polonisë në shtator, pra muajin e kaluar. Kështu, rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju e së fundmi edhe ka luajtur me Çelsin në Premier Ligë. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.

Zyrtarisht, Shqipëria do të nisë përgatitjet të hënën e 9 tetorit në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në një konferencë për mediat ditën e sotme në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.

Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në stadiumin “Air Albania” të dyja ndeshjet e këtij tetori. Fillimisht, Shqipëria përballet me Republikën Çeke më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë e që luhet më 17 tetor, duke nisur nga ora 18:00.