Aktualitet

Shqipëri-Kroaci drejt marrëveshjes së sigurimeve shoqërore!

Shqipëria dhe Kroacia përfunduan raundin e parë të negociatave për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen të gjitha procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.Rreth 3 mijë shqiptarë që punojnë në këtë vend do të përfitojnë nga njohja e viteve të punës.

Marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Kroacisë lehtëson trajtimin e barabartë dhe qasjen ndaj përfitimeve sociale për qytetarët e të dy vendeve. Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Çekia, Gjermania, Maqedonia e Veriut, Luksemburgu, Bullgaria, Austria, Turqia, Belgjika, Italia, e të tjera.

Ndërkohë, edhe mes vendit tonë e Zvicrës, së shpejti pritet të miratohet marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore, kjo pasi pak javë më parë kaloi për miratim në Parlamentin e Zvicrës.

Po në kuadër të marrëveshjeve për sigurimet shoqërore, rreth një muaj më parë, Shqipëria mbylli negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vendin fqinj.

Qeveria shqiptare po intensifikon bashkëpunimin edhe me Greqinë. Kjo për të bërë të mundur nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve. Në fillim të këtij muaji, startuan bisedimet në nivel ekspertësh, çka është një hap pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe një ogur i mirë për arritjen e marrëveshjes në fushën e pensioneve, që do të materializonte parimin e mbrojtjes sociale për çdo qytetar, i cili ka kontribuar aktivisht në ekonomitë e të dy vendeve.

Ndërkohë nga data 1 gusht ka nisur zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se rreth 30-40 mijë shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë vend pritet të përfitojnë.