Politikë

Shqipëria shpalli ‘non grata’ diplomatin, reagon Rusia zyrtare!

“Provokim që synon cënimin e marrëdhënieve me Shqipërinë” e cilëson Moska zyrtare vendimin e Tiranës për dëbimin e një diplomati rus i kapur në shkelje të masave anti-COVID. Mediat e huaja citojnë zv.Ministrin e Punëve të Jashtme, Alexandër Grushko, i cili deklaroi se “Rusia do t’i përgjigjet Shqipërisë për shpalljen non grata të Alexey Krivosheev”.

Përveçse provokim të qartë, Grushko akuzon Tiranën për hapa jo miqësor. Qeveria shqiptare njoftoi dje shpalljen person të padëshirueshëm të diplomatit rus Alexey Krivosheev, me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID.

Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme, thuhet se në drejtim të Krivosheev ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme dhe pavarësisht paralajmërimeve të bëra, diplomati nuk ka reflektuar, madje ka vijuar me sjelljen e tij neglizhuese. Një gjë e tillë, sipas ministrisë ka nisur që në prill të 2020, në muajin e parë të pandemisë, si edhe ka vijuar edhe në fillim të këtij viti, pavarësisht paralajmërimeve të shumta që kishte marrë.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare urdhëron Krivosheev të largohet nga Shqipëria brenda 72 orëve, duke kërkuar mirëkuptimin e palës ruse lidhur me këtë vendim.