Aktualitet

Situata e reshjeve, Ministria e Mbrojtjes jep informacionet më të fundit!

Ministria e Mbrojtjes informon sot për situatën në vend pas reshjeve intensive të një dite më parë. Ky dikaster bën të ditur se në qarkun e Kukësit, gjendja paraqitet më e qetë.

Sipas informacioneve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, në Bashkinë Tropojë ku pati dëme, gjendja është normalizuar, ndërkohë që vazhdon puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave. Në mbështetje të forcave në terren po punojnë mjete dhe forca e batalionit të Xhenios e Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile. Ndërsa bashkia ka ngritur grupet e vlerësimit të dëmeve.

Aktualisht në territorin e Bashkisë Tropojë: rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. (Curri-Valbonë, Ura e Bujanit-Qafe Morine, Sopot-Kerrnaj, Mejdan-Tropojë-Buçaj, B.Curri-Cërrnicë dhe B.Curri-Fierzë), rruga Lekbibaj- Fierzë është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve, po punohet me mjetet e bashkisë për zhbllokimin e segmentit rrugor Lekbibaj-Sheshi i trageteve Fierzë.

Më tej, Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se po punohet nga grupet e punës së OSHEE-së për riparimin e defektit në nënstacionin elektrik në Gropë Fierzë dhe rikthimin e energjisë në Njësinë Administrative Fierzë e fshatin Valbonë, ndërsa në fshatin Degë, Njësia Administrative Fierzë është dërguar një fadromë në mbështetje të komunitetit.

Në qarqet e tjera të vendit, situata është e qetë dhe nuk janë vërejtur problematika.

Lidhur me gjendjen, raportoi edhe ARRSH:

Situata në Tropojë pas motit të keq me reshje intensive të shiut është normalizuar. Në rajonin verior reshjet kanë pushuar. Në aksin Bajram Curri-Fierzë qarkullohet normalisht, ndërsa në aksin Sopot-Kam qarkullohet vetëm me mjete të vogla, kurse mjetet e transportit nuk mund të kalojnë, për arsye sigurie. Puna vazhdon me mjete dhe fuqi punëtore në të gjitha akset, për ta kthyer lëvizjen e mjeteve në normalitet.

Këtë të diel, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte relativisht të paqëndrueshme atmosferike, por me një përmirësim krahasuar me dje. Ndërsa dominojnë alternime vranësirash mesatare deri të dendura e kthjellimesh, pritet që vranësirat të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme, me intensitet të ulët. Në mbrëmje, na pret mot i kthjellët në të gjithë territorin e me vranësira fare të pakta kalimtare në relievet malore në lindje. Temperaturat variojnë 10-27 gradë celcius.