Bota

Skandali me ndërmjetësimin e një kredie për ish-kryeministrin Johnson, dorëhiqet kreu i BBC-së!

Njofton dorëheqjen presidenti i BBC-së, Richard Sharp, pas një hetimi që  zbuloi përfshirjen e tij në një marrëveshje kredie të marrë nga ish-kryeministri konservator britanik, Boris Johnson. Një konflikt interesi u zbulua gjatë emërimit të Sharpit në vitin 2021.

Unë mendoj se kjo çështje mund të ishte një shpërqendrim nga veprimtaria e rrjetit BBC, nëse unë do të vazhdoja që të qëndroja në detyrë deri në fund të mandatit tim.

Ish-bankieri Sharp, financier i konservatorëve, njihet si mik i ish-shefit të qeverisë së Londrës. Ai vepronte si ndërmjetës në lehtësimin e një kredie në vlerë 800 mijë paund për ish-kryeministrin Boris Johnson, përpara se ky i fundit ta emëronte në krye të BBC-së.

Sipas gjetjeve të një raporti të publikuar sot, “u konstatua një shkelje e rregullave lidhur me emërimet”. Hetimi zbuloi rolin e Richard Sharpit, i cili ndihmoi Borisin të merrte 800 mijë paund hua dhe që atij i duheshin për të mbuluar borxhet e familjes.

Ish-lideri konservator e pati vënë Sharpin në kontakt me mikun e tij të vjetër, biznesmenin kanadez, Sam Blyth, njëherazi kushëri i largët i Boris Johnsonit. Dorëheqja hyn në fuqi në fund të muajit qershor. Ministrja e Kulturës, Lucy Frazer tha se e kupton dhe e respekton vendimin e tij.

Tani vëmendja është e përqendruar te emri i pasuesit në krye të BBC-së. Kryeministri britanik, Rishi Sunak u pyet nga gazetarët gjatë pranisë në një konferencë të konservatorëve skocezë në Gllasgou. Ai u shpreh se nuk e ka parë raportin që zbuloi shkeljet. Po ashtu, i pyetur nëse do të garantojë emërimin e një figure jopolitike për të zëvendësuar të dorëhequrin Sharp, Sunak deklaroi:

Ka një proces të përcaktuar për këto lloje emërimesh dhe unë nuk mund të paragjykoj.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe janë shtuar zërat që po kërkojnë që kreu i BBC-së, të mos caktohet nga qeveria.