Aktualitet

Sondazhi i TAR/ Një përqindje e konsiderueshme e shqiptarëve nuk do të bëjnë pushime verore, a ka ndikuar rritja e çmimeve?

Sezoni veror sapo ka filluar dhe padyshim që gjithësecili prej nesh ka bërë planet se ku do t’i kalojë pushimet. Pas një dimri të lodhshëm, padyshim që mendojmë edhe detajet më të vogla se si do të kalojmë disa ditë relaksi. Por, në një sondazh të bërë nga TAR, ku kanë vendosur shqiptarët t’i kalojnë pushimet e tyre verore këtë vit?

Shumica, pra 47% kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin shqiptar, teksa 16% do të largohen nga kufijtë e shtetit. Por, nga ana tjetër një përqindje e konsiderueshme, (38%) kanë votuar opsionin që nuk do të shkojnë në pushime fare. Me shumë mundësi, në këtë votim ka ndikur shumë dhe rritja e çmimeve e cila po ndryshon mjaft shpesh, duke ndikuar kështu edhe në produktet bazike jetësore, si mielli, sheqeri e të tjera.

Ndërsa për të gjithë ju që planifikoni të kaloni pushimet jashtë Shqipërisë, për fat të mirë, ‘Airbnb’ ka publikuar një raport të detajuar i cili tregon destinacionet se ku po dynden njerëzit këtë verë, kështu që ju ose mund të planifikoni pushimet tuaja në një vend që është realisht në trend ose mund të zgjidhni t’i shmangeni turmave dhe të shkoni diku tjetër.