Aktualitet Politikë

Sondazhi i TAR/ U zgjodh Presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë, shqiptarët ‘nuk e njohin’ Bajram Begajn!

Vetëm pak minuta më parë Bajram Begaj u votua me 78 vota pro si President i Republikës së Shqipërisë.

Emri i tij u përzgjodh mes 26 kandidaturave.

Nga votimi në Kuvendin e Shqipërisë mori 78 vota pro, 4 vota kundër dhe një abstenim ndërsa i duheshin vetëm 71 për të zëvendësuar Ilir Metën.

Në procesin e votimit morën pjesë 83 deputetë, nga të cilët 74 ishin nga mazhoranca. Nga opozita votuan Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho ndërsa në votime morën pjesë edhe tre deputetë të PSD.

Top Albania Radio pyeti shqiptarët me anë të një sondazhi se çfarë mendojnë ata për kandidaturën e Begajt.

40% e tyre u përgjigjën me ‘Nuk e njoh”.

27% u përgjigjën me ‘Më pëlqen’.

20% thanë se do të jetë më mirë se aktuali dhe 10% e konsiderojnë lodër të mazhorancës.

Nga votimi kuptojmë se përgjithësisht ka pak informacion për Bajram Begajn duke qenë se nuk ka qenë njeri shumë mediatik, por po ashtu  ka një mendim pozitiv duke qenë se vjen nga një formim ushtarak, dhe jo nga një parti politike apo lidhje të mëhershme me parti politike.  Karriera e tij ushtarake duket se është një plus në mendimin e qytetarëve dhe i bën ata që të kenë më shumë besim në integritetin e presidentit të ri.

Por kush është Bajram Begaj?!

Begaj shërbeu për dy vite si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ai ka lindur në vitin 1967 në Rrogozhine dhe që prej vitit 2020 mban këtë detyrë. Më herët, ai ka qenë Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare, raporton SCAN.

Begaj është profesor i asociuar i mjekësisë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i dha ne vitin 2020  gradën madhore “Gjeneral Major”  duke e futur ate në historinë e Forcave te Armatosura, pasi u be mjeku i parë në ushtri qe arriti  të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë.

Opozita kundërshtoi emrin e tij!

Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me deputetët demokratë, pjesë të Komisionit të Rithemelimit, kanë braktisur sallën e Parlamentit ku u zhvillua votimi për Presidentin e ri. Më parë kishin thënë se do të ishin të pranishëm por nuk do të votonin, por pas përplasjes të Sali Berishës me Lindita Nikollën, e cila nuk i dha fjalën, kanë zgjedhur të largohen nga Kuvendi.

Opozita e konsideron zgjedhjen e tij si antikushtetuese dhe zgjedhje personale të Edi Ramës.