Aktualitet Politikë

Sot dita e dytë e vizitës së Escobar-it në Tiranë, takime me Alibeajn dhe Metën!

Sot në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të takojë Enkelejd Alibeajn dhe Ilir Metën dhe në fokus mbeten zgjedhjet vendore të 14 Majit. Një ditë më parë pati takime me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe kryediplomaten Olta Xhaçka.

Ambasada amerikane në Shqipëri, njoftoi se thirrja e Escobarit për liderët ishte që “të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit e pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë”. Ditë më parë, thirrje të ngjashme bëri edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë. Strategjia kundër korrupsionit e presidentit (të SHBA-së, Joe) Biden, identifikon kërcënimin unik që paraqet korrupsioni për demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare. Partitë politike të sigurohen që fushatat dhe aktivitetet zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt e transparente, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Vizita e Escobarit vjen në prag të nisjes së fushatës zgjedhore. Aktualisht partitë politike kanë regjistruar kandidatët dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kryen verifikimin e tyre.

Partia Socialiste dhe Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ku bëjnë pjesë Partia e Lirisë e Metës, PDK-ja e Nard Ndokës e PBDNJ-ja e Vangjel Dules, si dhe demokratët e Sali Berishës garojnë me kandidatë në të 61 bashkitë e vendit.

Partia Demokratike doli me kandidatë në vetëm 15 bashki, pasi nuk u arrit kompromis që dy grupimet brenda saj, të dalin me kandidatë të përbashkët. Ndarja e thellë në PD u krijuar në maj 2021, kur SHBA-të shpallën “non grata” ish-kryeministrin Berisha.

Aktualisht, thuajse të gjitha bashkitë e vendit drejtohen nga Partia Socialiste, për shkak se opozita i pati bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019.