Food & Drink Health & Beauty

Sot Dita Ndërkombëtare e Çokollatës, të zezës mos iu ndani!

Sot është Dita Ndërkombëtare e Çokollatës dhe sipas shkencëtarëve, një sasi e vogël e përditshme çokollate, sjell të mira për organizmin, veçanërisht ato që janë të errëta, me përqindje të lartë kakaoje. Sipas disa studimeve, në përgjithësi, përbërësit bioaktive në çokollatën e zezë mund të jenë të shkëlqyer për lëkurën tuaj, sidomos tani që jemi në stinën e nxehtë të vitit.

Pra, po mësojmë se çokollata mund të mbrojë lëkurën nga dielli. Arsyeja? Falë flavonoleve, ndikon te sasia minimale e rrezeve UVB të nevojshme për të shkaktuar skuqje të lëkurës 24 orë pas ekspozimit.

Flavonolet mund të mbrojnë kundër dëmtimit të diellit, të përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe të rrisin densitetin e hidratimin e lëkurës. Po ashtu, çokollata përmirëson funksionet njohëse, si në moshën e rritur, ashtu edhe në rastin e të moshuarve.

Flavonolet rrisin fluksin e gjakut në tru, por edhe të stimuluesve si teobromina e kafeina që përmirësojnë funksionin e trurit në afat të shkurtër. Me kalimin e kohës, studime të shumta kanë treguar edhe se konsumimi i kakaos ose çokollatës mund të ulë presionin e gjakut e të përmirësojë shëndetin kardiovaskular.

Në konsumimin e çokollatës, padyshim që duhet shumë moderim, duke pasur parasysh se është shumë kalorike, përmban sheqerna edhe në formë të errët dhe është e lehtë të hahet më shumë seç duhet.

Efektet e mira të çokollatës vihen re nëse konsumohet në formën e saj të pastër, pa përbërës të tjerë që shtojnë sheqerin, yndyrnat etj dhe gjithnjë të synohet për produkte cilësore me mbi 75% kakao.

Sipas studimeve, sugjerohet një konsum jo më shumë se 30 gramë në ditë. Duke qenë se përmban dhe kafeinë, ekspertët këshillojnë të mos konsumohet me stomakun bosh e mundësisht jo para gjumit të natës. Një konsum prej 45 gramësh në javë, thuhet se redukton rrezikun e iktusit tek gratë si dhe favorizon lirimin e endorfinës, hormoni përgjegjës për humorin tonë të mirë.