Aktualitet

Sot është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve! mesazhe nga Meta e Rama

Sot është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve që kanë dhënë jetën për liri dhe demokraci. Dita e të rënëve për Atdhe, e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Në nderim të kësaj dite kanë ardhur dhe mesazhet e para nga Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët shprehin mirënjohje dhe respekt për dëshmorët.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, kreu i shtetit Meta shpreh mirënjohjen dhe respektin për Dëshmorët e Atdheut të çdo epoke.

Sot është dita e Qemal Stafës dhe e mijëra të rinjve dhe të rejave, që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë. Lavdi e përjetshme, nderim, respekt dhe mirënjohjen më të thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut, të çdo epoke, shkruan Meta.

Edhe kryeministri Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foto të një memoriali që simbolizon të rënët.

Mirëmëngjes Shqipëri. Respekt përjetësisht, shkruan kryeministri Rama, dhe ndan një foto të bustit për “Dëshmorët e Atdheut”.


Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

Në kohën e komunizmit, 5 Maji u bë traditë. Ishte ditë e shënuar. Tiparin dallues të kësaj dite e përbënin vizitat në varrezat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vizitat në familjet e dëshmorëve. U ndërtuan varreza dëshmorësh në çdo qendër rrethi. Shqipëria, përpos 26 të tillave që ishin në qendrat e rretheve, pati dy të tjera, krejt të veçanta e që u përkisnin dy fshatrave martire, Kuçit të Kurveleshit dhe Pezës së Tiranës. Ndërsa në këtë të fundit përuleshin e nderonin gjithë udhëheqja e partisë dhe shtetit, si në 5 maj, ashtu dhe në 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës, në Kuç, si rregull shkonin nxënësit e shkollës së fshatit dhe familjet e dëshmorëve.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar çdo vit. Edhe sot pritet të ketë homazhe në nder të tyre.