Aktualitet

Aeroporti i Kukësit priti udhëtarët e parë, emigrantë shqiptarë nga Londra

Rreth orës 15:45, në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut” mbërritën udhëtarët e parë.

Një avion i “Air Albania”-s i nisur nga kryeqyteti britanik me emigrantë shqiptarë u ul në pistën e Aeroportit të Kukësit pasi më parë bëri ulje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit ku në bord iu bashkua Kryeministri Rama.

Më herët, Rama publikoi një foto me karriget ku do të ulen qytetarët që do të mblidhen në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit.

Pas pak, zbresim këtu, në Kukës, ku hapet porta e dytë nga qielli i Shqipërisë.

Destinacionet e para janë disa qytete të Zvicrës e të Gjermanisë, por pa përjashtuar tregun më të rëndësishëm për tregun e aviacionit civil shqiptar, që është ai italian.

Më herët, Kryeministri Rama ka bërë të ditur se fluturimi i sotëm do të jetë simbolik e më pas Aeroporti nis me fazën e certifikimit ndërkombëtar.

Aeroporti ka përfunduar. Aeroportet gjithmonë kur përfundojnë bëjnë fluturimin simbolik. Një, dy, tre fluturime dhe pastaj futen në fazën e certifikimit ndërkombëtar duke marrë gjithë licencat, etj.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e vrojtimit ndërsa në pjesën e vend-qëndrimit është projektuar për të mbajtur tre avionë njëkohësisht. Në një orë, nga Aeroporti i Kukësit mund të nisen 4 avionë. Terminali zë një sipërfaqe prej 3500 m2, ka 2 portat hyrëse e në brendësi edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës.

Emri “Zayed” u vendos në nderim të familjes së princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë u kujdes të dërgonte ndihma të shumta për refugjatët.