Sport

Sot merret vendimi, Novak Gjokoviçi pranon disa gabime dhe kërkon falje

Farsa rreth yllit të tenisit Novak Gjokoviç në Australi po kthehet gjithnjë e më shumë në një dramë gjyqësore. Tani serbi ka pranuar dy gabime në lidhje me hyrjen e tij të diskutueshme në Australi. Novak Gjokoviç publikoi një deklaratë në profilin e tij në Instagram në të cilën pranoi se formulari i tij i hyrjes në Australi ishte plotësuar gabimisht.

Por tenisti 34-vjeçar fajësoi stafin e tij për këtë. Ai gjithashtu pranoi se ishte takuar me një gazetar pavarësisht rezultatit pozitiv të testit Corona, që do të thotë se (nëse vërtet me 16 dhjetor ka marrë një test pozitiv me virusin Corona atëherë) ai nuk i ka respektuar rregullat e karantinimit.

Vendimi merret sot

Vendimi përfundimtar në rastin e numrit një të tenisit botëror për hyrjen e tij në Australi do të vonohet dhe nuk pritet të merret para së enjtes (Sot)(13.01.2022). Lajmi është bërë i ditur nga agjencia australiane e lajmeve AAP. Avokatët e Gjokoviçit njoftojnë se afati kohor për vendimin është shtyrë. Ata i referohen zyrës së ministrit australian të Imigracionit Alex Hawke.

Mediat australiane kanë raportuar më herët se Gjokoviçi ka qenë në Serbi në 14 ditët para udhëtimit të tij nga Spanja, ndërsa të dhënat në formular janë të gabuara. Këto detaje janë me rëndësi pasi mund të shërbejnë si dëshmi që qeveria australiane t’ia anulojë vizën tenistit dhe ta largojë nga vendi, që do të thotë se ai jo vetëm që nuk do të merrte pjesë në Australian Open, që fillon me 17 janar, por mund të ketë ndalesa të futet në këtë vend.

Autoritetet kufitare në Australi së pari e kanë refuzuar hyrjen e Gjokoviçit në këtë vend, me shpjegimin se ai nuk kishte një certifikatë vaksinimi kundër virusit Corona, që është kusht për futjen në Australi. Ato thonin se nuk njohin leje speciale për hyrje pa certifikatë vaksinimi. Por sipas avokatëve të Gjokoviçit, përjashtimi për hyrje është bërë pas dëshmisë për një test pozitiv, i cili është lëshuar nga autoritetet serbe të shëndetësisë me 16 dhjetor.

“Nuk doja të zhgënjeja gazetarët”

Novak Gjokoviç pranon se pas marrjes së rezultatit pozitiv ai është takuar me gazetarë të gazetës sportive franceze L’Equipe më 18 dhjetor, pavarësisht se sipas rregullave në Serbi ai do të duhej të ishte në karantinë. Ai thotë se ndjehej “i detyruar” ta bënte këtë, sepse “nuk donte të zhgënjente gazetarët”. Por Gjokoviç pohon se ka pasur kujdes dhe ka mbajtur distancë dhe maskë mbrojtëse, “përveç gjatë fotografimit”. “Kur e mendoj tani, e di që ishte një vendim i gabuar dhe e pranoj se është dashur ta shtyja këtë angazhim”, shkruan Gjokoviç.

Por Gjokoviç është parë pas testit pozitiv edhe në një manifestim tjetër, në një fotografim me fëmijë dhe të rinj. Gjokoviç pohon se këto raporte për paraqitjet e tij publike në Serbi, pas infektimit, janë “dezinformata”. Një ditë pas testit pozitiv, Gjokoviçi ka marrë pjesë në një event tenisi për të rinjtë dhe ceremoninë e prezantimit të pullave postare me fotografinë e tij. Në fotografitë e publikuara nga ky event shihet se Gjokoviç nuk ka pasur maskë mbrojtëse dhe nuk ka mbajtur distancën me të tjerët.

Por Gjokoviç thotë se rezultatin e testit e ka marrë pas këtij manifestimi me fëmijë dhe të rinj, i cili është mbajtur me 17, ndërsa testi është publikiuar në mbrëmjen e datës 16 dhjetor. Ceremoninë e prezantimit të pullës postare me fotogratinë e tij ai nuk e përmend fare në shpjegimin e tij në Istagram.

Gjokoviç pranon “shkujdesje njerëzore”

Profesionisti i tenisit gjithashtu pranoi gabimin në deklaratën e tij të udhëtimit për në Australi. Në dokumentin zyrtar shkruan se ai nuk ka udhëtuar në asnjë vend tjetër në 14 ditët para fluturimit për në Melburn. Por në raportimet e mediave dhe në fotogratitë e publikuara në internet shihet se ai ka fluturuar nga Serbia në Spanjë gjatë kësaj periudhe.

Deklarata është “dorëzuar në emrin tim” nga ekipi i shoqëruesve. Gjokoviç kërkoi falje për këtë gabim. “Agjenti im kërkon sinqerisht falje”, shkruan ai. Ishte “një shkujdesje njerëzore dhe sigurisht jo një qëllim”.

Një gjykatës e ka miratuar kërkesën e Gjokoviçitqë të hyjë në Australi të hënën dhe ia hoqi anulimin e vizës. Arsyeja e dhënë në vendim: Gjokoviçit nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të sqaruar situatën përpara se t’i anulohej viza.

Por Gjokoviç ende kërcënohet me dëbim nga Australia. Sipas ekspertit të ligjit të imigracionit, Christopher Levingston, qeveria mund të anulojë vizën e Gjokoviçit për arsye penale, për shembull, për shkak të paraqitjes së të dhënave të pasakta në dokumentet e udhëtimit.