Rajoni

Sot takimi i ri në Bruksel për dinarin mes Kosovës e Serbisë!

Çështja e dinarit, sot në Bruksel takohen kryenegociatorët e Kosovës e të Serbisë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak. Besnik Bislimi e Petar Petkoviç do të diskutojnë mbi vazhdimin e takimit të javës së kaluar kur palët ranë dakord të propozojnë zgjidhjet përkatëse. Sot pritet që të flasin për propozimet e Prishtinës e të Beogradit lidhur me dinarin.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para në Kosovë u ndalua në fillim të muajit shkurt kur Banka Qendrore e Kosovës futi në fuqi një rregullore të re dhe që përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend. Përveçse zemëroi Serbinë, kjo çështje nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës e bashkësisë ndërkombëtare, pasi prej vitesh, komuniteti serb në Kosovë, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. Në një intervistë dhënë REL-it javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

Pas takimit, javën e kaluar, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, tha se pret që në takimin sotëm të vazhdohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb. Stano vuri në dukje se takimi i javës së kaluar “ishte i rëndësishëm për të saktësuar faktet dhe për të sqaruar disa çështje”.

Palët ranë dakord që të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje sot, me qëllim që të diskutojnë propozimet konkrete dhe të gjejnë një zgjidhje afatshkurtër.

Kjo ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej së hyri në fuqi rregullorja e BQK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se nuk do të pranojë propozime lidhur me dinarin e që janë në kundërshtim me rregulloren e Bankës Qendrore. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti theksoi se rregullorja e re “nuk është ndëshkim, por një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare”.

Sa i takon çështjes së dialogut politik me Serbinë, ai tha se ky proces ka ngecur te shkeljet që ia bën Serbia marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Nuk mund të kemi zbatim të marrëveshjes pa respektim të saj.

Duke folur për çështjen e tokave rreth Manastirit të Deçanit, shtoi se ka përfunduar gjithçka dhe sipas tij, Kosova e ka rastin unik që në pranverë të anëtarësohet në Këshillin e Europës.