Aktualitet Politikë

Sot votohet heqja e imunitetit të Sali Berishës, opozita në protestë te Kuvendi!

Sot në të fundit seancë të këtij sesioni parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë ka në rend dite votimin për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Berisha, për t’i hapur rrugë SPAK-ut lidhur me arrestimin/heqjen e lirisë së tij. Me 6 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim, më 18 dhjetor, Këshilli i Mandateve pranoi kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit, nën hetim për “Korrupsion pasiv” lidhur me privatizimin e klubit Partizani në Tiranë.

Ndërkaq, dje Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë, të cilët kërkuan pezullimin e vendimit të GJKKO-së për masën shtrënguese ndaj Sali Berishës e për rrjedhojë edhe pezullimin e arrestimit të tij. Sipas tyre, masa e marrë më 20 tetor ndaj Sali Berishës “Detyrim për paraqitje”, lidhur me aferën e privatizimit të klubit sportiv Partizani është “antikushtetuese” dhe u mor pa u kërkuar paraprakisht autorizimi i Kuvendit.

Ish-kryeministri Berisha ka paralajmëruar revoltë. Për sot në orën 09:00 është thirrur një protestë para selisë së Parlamentit.

Dje, Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të qëndrojë me qytetarët në protestë apo do të tentojë të hyjë në Kuvend.

Kompleksiteti  rrethanave, vetëm një pjesë e atyre që duan të protestojnë i lejon të vijnë në protestë dhe ne e kemi shumë të qartë këtë punë. Për ne, e rëndësishme është që tani nisëm protestat për të mos i ndaluar më deri në ditën e fitores mbi narkoregjimin e Edi Ramës. Kjo ka rëndësi. Ku do të jem unë? Kudo do të jem unë, pantotenik. Në sallë, jashtë salle, te qytetarët dhe kudo. Në betejë, betejë pa kthim…

Protestë para SPAK-ut është hapi i radhës ndërsa mund të ketë të papritura.

Protestën mund ta thërrasim edhe ne. Ne nuk mund të pranojmë të shkelmohen në mënyrë flagrante interesat e këtyre njerëzve që po largohen të vjedhur gjer në palcë. Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë, jo absolutisht! Për dijeni, protestohet në të gjithë botën para padrejtësive të organeve të drejtësisë.

Gjëja më normale është protesta, bile është e vonuar. Ne ndihemi të lirë fare, sepse ne po denoncojmë me dokumente zyrtare. Tani është koha të veprojmë!

Berisha nuk përjashton kthimin e Selisë Blu në qelinë e tij për arrestin shtëpiak. Por, lidhur me vendimin përfundimtar, tha se do të konsultohet me avokatët.