Bota

Sozi për Kim Jong-un? 007-at koreano-jugore kanë përgjigjen!

Fund spekulimeve për liderin komunist të Koresë së Veriut! Nuk ka asnjë sozi në daljet zyrtare, ai është vetë Kim Jong-un, veçse rreth 20 kg më pak. Agjencia e Spiunazhit në Korenë e Jugut konfirmon një gjë të tillë, duke hedhur poshtë çdo dyshim e zërat që hamendësonin se diktatori përdorte një sozi.

Për më shumë Kim Jong-un është në gjendje shëndetësore të shkëlqyer, që do të thotë se pas dobësimit të tij, nuk qëndron ndonjë sëmundje, thjesht i është nënshtruar dietave për t’u ndjerë në formë të mirë fizike. 007-at e Seulit arritën në këtë përfundim pasi përdorën analiza krahasuese, përmes teknikave të mundësuara nga inteligjenca artificiale të fotove e të xhirimeve të një rezolucioni shumë të lartë. Ato zbuluan përputhjen mes formës e shprehive të fytyrës së diktatorit.

Eshtë diskutuar gjatë pesha e udhëheqësit të Koresë komuniste, i njohur për provokimet e vazhdueshme me testet me raketa balistike, ndonëse vendi përballet me sanksione ndërkombëtare.

Një muaj e gjysmë më parë u komplimentua për rënien në peshë nga Rachel Campos-Duffy, personalitet i njohur i televizionit amerikan. 50-vjeçarja shpërtheu në komplimenta për Kimin, madje shprehu keqardhje por vuri në dukje se ngjan edhe më mirë se Joe Biden. Ndonëse u “kryqëzua” nga komentuesit në rrjetet sociale për fjalët e mira në adresë të njeriut të akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut, Campos-Duffy sugjeroi pseudonimin e ri, “Slim Jong Un”.

Prej kohësh ka një sërë informacionesh të ndryshme për gjendjen shëndetësore të liderit 37-vjeçar, të cilit i kaloi pushteti nga babai Kim Jong-il pasi ndërroi jetë më 11 dhjetor 2011 në moshën 70-vjeçare. Por si çdo gjë kur flitet për Korenë e Veriut, edhe kjo pjesë mbulohet nga misteri. Në qershor, mediat shtetërore publikuan foto të Kimit, pasi ai u zhduk nga daljet publike për disa javë. Në ato pamje ishte mëse e dukshme që kishte humbur peshë.