Bota

SpaceX lëshon në hapësirë një anije kozmike të ushtrisë amerikane!

Raketa Falcon Heavy e SpaceX-it u nis drejt hapësirës për të transportuar dronin sekret X-37B të ushtrisë amerikane në një mision kërkimor. Pas javësh vonesë, raketa u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida në orën 20:07, sipas asaj lokale dhe nisja e raketës u transmetua drejtpërdrejt në faqen web të kompanisë SpaceX.

Eshtë e paqartë se për ku është nisur anija kozmike pa ekuipazh, që funksionon në mënyrë autonome. Kjo anije është në misionin e saj të shtatë.

Pentagoni dha pak informacione për dronin hapësinor dhe për misionin e tij, që fillimisht ishte planifikuar të niste më 7 dhjetor. Ndërkaq, SpaceX vetëm ka përmendur emrin e misionit të koduar nga Pentagoni, USSF-52, në deklaratën e lëshuar për këtë mision.

Falcon Heavy nisi misionin USSF-52 në orbitë.

Më herët, Petagoni njoftoi se misioni i shtatë i tij X-37B do të synonte “disa eksperimente”. Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Zyrës për Aftësitë e Shpejta të Forcave Ajrore, deklaroi:

Këto testime përfshijnë operimin e avionit hapësinor në zona të reja orbitale, eksperimentimin me teknologjitë e reja për të kuptuar më mirë hapësirën dhe hetimin e efekteve të rrezatimit në materialet e ofruara nga NASA.

Sa i përket dronit hapësinor të lëshuar, autoritetet thanë se ai ka madhësinë e një autobusi të vogël dhe duket si një mini-version i anijeve hapësinore që u larguan nga përdorimi në vitin 2011. Në misionet e kaluara, X-37B ka kryer testime për NASA-n lidhur me ndikimin që ka rrezatimi ndaj farave dhe materialeve të tjera.

Lëshimi i anijes nga Falcon Heavy vjen dy javë pasi Kina dërgoi në hapësirë një avion hapësinor robotik, të quajtur Shenlong. Sipas agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua, kjo anije kozmike do të qëndrojë në orbitë “për një periudhë kohore” dhe do të kryejë eksperimente të ndryshme.