Rajoni

Stuhi vdekjeprurëse në Serbi, humbin jetën një fëmijë dhe një grua!

Një djalë 12-vjeç dhe një grua humbën jetën në Serbi, gjatë një tjetër stuhie vdekjeprurëse në Ballkan. Në qytetin verior serb të Novi Sadit, i mituri u gjet i pajetë në rrugë, por mbeten të paqarta rrethanat në të cilat humbi jetën, referuar televizionit shtetëror RTS.

Mediat në Serbi raportojnë se Novi Sadi po vuan pasojat më të rënda. Stuhia dëmtoi çatinë e një qendre ekspozitash në qytet. Rreth 30 persona kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa shumë rrugë kanë mbetur të bllokuara mëngjesin e sotëm.

Në fshatin Kovaçica në verilindje të Serbisë, një grua vdiq nga tymi pas shpërthimit të një zjarri kur rrufeja goditi një pemë pranë shtëpisë së saj. Policia serbe ende nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për shkallën e dëmeve të shkaktuara nga stuhia.

Fillimisht, stuhia goditi Slloveninë duke vazhduar për në Kroaci e më pas drejt Serbisë e Bosnjës, ku solli erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm. Autoritetet raportuan probleme me furnizimin me energji elektrike e dëme të mëdha, përfshirë pemë të shkulura, që dëmtuan automjete e çati shtëpish.

Në mesjavë, një tjetër stuhi vrau gjashtë persona në rajon, katër prej të cilëve në Kroaci, një në Slloveni e një në Bosnjë. Meteorologët thanë se stuhitë ishin të fuqishme për shkak se pasuan disa ditë jashtëzakonisht të nxehta. Ekspertët deklaruan se kushtet e motit ekstrem, me gjasë janë nxitur nga ndryshimet klimatike.

Kroacia dhe Bosnja goditen sërish nga stuhia

Në Kroaci, stuhia shkaktoi dëme në pjesë të ndryshme të vendit, aty ku autoritetet po punojnë për të kontrolluar pasojat e lëna nga stuhia e së mërkurës.

Ne po punojmë natë e ditë, pandërprerë!

Disa persona janë lënduar në një zonë turistike në gadishullin verior të Istrias, ku të shumtë janë vizitorët gjatë verës. Bregu dhe ishujt kroatë në Detin Adriatik joshin miliona turistë çdo sezon veror.

Sllovenia njoftoi se stuhitë kanë shkaktuar dëme të mëdha në pyje në këtë shtet, si dhe paralajmëroi për përmbytje të mundshme. Në pjesën tjetër të Europës, një valë e vazhdueshme e të nxehtit ekstrem ka shkaktuar zjarre të egra, duke çuar dhe në paralajmërime për shëndetin.