Bota

Sulm me thikë në Francë, dy të plagosur!

Sulmohet me thikë një prift në Francë, ngjarja e rëndë ndodhi sot në një kishë, në qytetin turistik të Nisës. Një 31-vjeçar, i cili nga autoritetet franceze përshkruhet si i “paqëndrueshëm” e “me probleme të shëndetit mendor”, hyri në objektin e kultit dhe goditi klerikun, duke i shkaktuar plagë e fatmirësisht nuk është në rrezik për jetën.

Në një postim në Twitter, Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin shkruan se “jeta e priftit nuk është në rrezik” dhe se “policia arrestoi agresorin”.

Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi, u shpreh se “përveç problemeve mendore, personi tashmë i arrestuar nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Nga hetimet paraprake, rezulton se thikën e ka blerë disa ditë më parë. Po ashtu, për 31-vjeçarin mediat që i referohen burimeve zyrtare shkruajnë se “nuk dyshohet si person me lidhje me terroristë”. Një deputet i zonës, Eric Ciotti konfirmoi edhe plagosjen e lehtë në njërin krah të një murgeshe, e cila ndërhyri për t’i marrë thikën autorit.

Sulmi ndodhi në ditën kur francezët janë thirrur të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, një balotazh mes presidentit aktual, Emmanuel Macron e rivales së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e njohur për qëndrime të forta kundër emigrantëve, por jo Rusisë.

Qendrat e votimit u hapën në 08:00 të mëngjesit, për t’u mbyllur në orën 20:00 të mbrëmjes. Pak minuta më vonë, dalin rezultatet e sondazheve të para. Sondazhet e ditëve të fundit i dhanë Macron-it një rritje të lehtë dhe analistët vlerësojnë se “pavarësisht përpjekjeve për të zbutur tonet e imazhin”, Le Pen mbetet figurë jo shumë popullore. Por, një fitore e beftë e 53-vjeçares nuk mund të përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur.

Le Pen këmbëngul se dëshiron të qëndrojë në Bashkimin Europian, por të reformojë Bllokun në një “aleancë kombesh”. Për BE-në, nuk është pak kur ende nuk ka marrë veten nga fitorja jo dhe aq e pritshme e kryeministrit hungarez Viktor Orban, të cilit presidenti i Ukrainës, Zelensky i është referuar si “i vetmi në Europë që mbështet hapur Putinin”.