Bota

Sulmi me armë në Nju Jork, konfirmohet se agresori synonte shënjestrimin e afro-amerikanëve!

Policia amerikane jep detaje lidhur me sulmin me armë zjarri të 14 majit, në Buffalo të Nju Jorkut, qyteti i dyti më i madh i këtij shteti amerikan. 10 persona u vranë nga i dyshuari Payton Gendron në një dyqan dhe referuar hetuesve, 18-vjeçari udhëtoi gjatë duke përshkuar një distancë prej 320 kilometrash, në kërkim të zonave me popullatë afro-amerikane. Pikërisht, afro-amerikanët ishin shënjestra e të arrestuarit. Hetimet po përqëndrohen në pistën e ekstremizmit të dhunshëm, nxitur nga motive raciste.

Kryebashkiaku i qytetit Buffalo, Byron Brown, iu konfirmoi mediave se “i dyshuari ka synuar të marrë jetët e sa më shumë afro-amerikanëve”. Ndërkaq, në mesin e qytetarëve amerikanëve po shtrohen pyetje mbi mënyrën si ka arritur të kryejë sulmin i riu, në kohën kur mbahej nën monitorim nga autoritetet?

Rreth një vit më parë, Gendron bëri kërcënime të forta për të shtëna me armë zjarri në shkollën e mesme ku mësonte, ngjarje e regjistruar në qershor të vitit të kaluar, sipas një zyrtari amerikan. Më pas, iu nënshtrua kontrolleve për të vlerësuar gjendjen e shëndetit të tij mendor.
Në një dokument me 180 faqe, autor i të cilit besohet se është vetë Payton Gedron, ai e ka përshkruar veten si fashist dhe supremcist i bardhë.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, bëri të ditur se zyra që drejton do të fokusohet në materialin për ekstremizmin, të publikuar online. James bëri një përshkrim paraprak të situatës:

Kjo gjë u krye nga një individ i sëmurë, i cili është nxitur nga doza të përditshme të urrejtjes.

Sipas policisë amerikane, nga 13 njerëz të qëlluar me armë zjarri në momentin e sulmit me autor Gendron-in, 11 prej tyre ishin afro-amerikanë. Historitë e viktimave janë prekëse. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një burrë, i cili gjendej në vendin e masakrës që të blente ëmbëlsirë për ditëlindjen e djalit të tij. Po ashtu një grua, që shkonte të furnizohej me ushqime, pasi vizitoi bashkëshortin në një shtëpi kujdesi.