Sport

Superiorja, sot luhen Kukësi-Egnatia, Partizani-Teuta, Vllaznia-Laçi!

Abissnet Superiore rikthehet këtë fundjavë, me ndeshjet e javës së 28-të. Në orën 13:45, Kukësi pret sot Egnatian, ndërsa sfidat e tjera janë Partizani-Teuta e Vllaznia-Laçi, që nisin në 16:45.

Kukësi-Egnatia vjen në stadiumin e Kamzës, me verilindorët të cilët ende duhet të presin për inaugurimin e stadiumit të ri. Në kërkim të rezultateve, formacioni verilindor ka ndryshuar paksa dhe sjelljen, duke lëshuar diçka nga zotërimi i topit, megjithatë rendimenti në sulm është dukshëm poshtë pritshmërive. Ndërkohë, Egnatia është në një moment të shkëlqyer e vjen pas një fitoreje që peshon shumë ndaj bluve, ndërsa në dy ndeshjet pararendëse mposhti me rezultatin 3-0 Vllazninë dhe ndali në barazim Partizanin.

Partizani dhe Teuta përballen në “Elbasan Arena”, në një sfidë ku duhet të mendojnë edhe për mesjavën e ardhshme, në mënyrë të veçantë durrsakët që te Kupa shohin barkën e shpëtimit të sezonit, si i vetmi shans që mund t’u ofrojë një trofe dhe mundësinë për të luajtur në kompeticionet europiane. Gjithsesi, 90-minutëshi në “Elbasan Arena” është i rëndësishëm akoma më shumë për Partizanin që e kërkon Europën edhe nëpërmjet kampionatit e vjen në rritje konstante.

Po sot, Vllaznia dhe Laçi përballen në një sfidë të zonës së lartë të klasifikimit mes dy skuadrave që luajnë pothuajse gjithçka në pak ditë. Vllaznia vjen pas tre humbjesh radhazi në kampionat dhe aventura e Elvis Plorit si trajner i parë nuk ka nisur në mënyrën e duhur. Edhe për teknikun shkodran, përpara janë dy sfida vendimtare e në këtë përballje me Laçin kërkon fitoren e parë, për të rikthyer optimizmin para takimit vendimtar me Partizanin në Kupë.

Një nga takimet më të rëndësishëm që do të vendosë jo pak në garën për titull, padyshim që do të jetë ai mes Dinamos dhe Kastriotit, i planifikuar për të hënën e ardhshme në orën 14:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.