Rajoni

Të hënën flamujt në gjysmë shtizë, Kosova në zi për viktimat e aksidentit; policia kroate jep detajet

Nesër Kosova do të ulë në gjysmë shtizë flamujt në të gjithë vendin në respekt dhe homazh për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë thuhet në njoftimin zyrtar të presidencës kosovare.

Në të theksohet se vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Si rrjedhojë të këtij zhvillimi të përmasave shumë të rënda, presidentja Vjosa Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Si ndodhi tragjedia?, Policia kroate detajon lëvizjen fatale të autobusit

Departamenti i Policisë së qarkut Brod-Posavina në Kroaci ka lëshuar ​​një deklaratë ku detajon rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod, nga i cili humbën jetën 10 persona dhe u lënduam më shumë se 40 të tjerë. Të gjithë ata ishin duke ardhur nga Frankfurti në Kosovë.

Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po drejtonte një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana -A rruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për të marrë trupat e të lënduarve”, thuhet në deklaratë.

Si pasojë e aksidentit, trafiku në këtë pjesë të autostradës u mbyll në orën 7:40 dhe u lirua një korsi në orën 11:35, bën të ditur Policia kroate.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njoftoi se nga të dhënat e konfirmuara aktualisht, si pasojë e aksidentit rrugor që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet në komunikatën e MPJD.

MPJD-ja shprehu keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkatdhetarëve tanë dhe i shprehu ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe i dëshiroi shërim të shpejtë të lënduarve.