Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, shpërthim në Mitrovicë të Veriut!

Shpërthim në Mitrovicë të Veriut, pa dëme në njerëz e të natyrës materiale. Sipas policisë së Kosovës, dyshohet se shpërtheu një shok-bombë në këtë komunë të veriut me shumicë serbe. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, në lagjen “Tre Rrokaqiejt”. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Nuk kemi hasur në dëme anësore nga ky shpërthim.

Shok-bombat nuk konsiderohen mjete shkatërruese, por ato prodhojnë zhurmë të madhe që krijojnë probleme për dëgjimin. Kohët e fundit, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore.

Sulmi më i fundit ndodhi në Zveçan, më 18 qershor. Më herët, të tjera goditje me shok-bomba janë regjistruar pranë stacioneve policore po në Zveçan e Mitrovicën e Veriut.

Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale. Këto ngjarje vijnë në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga data 26 maj. Në atë ditë filluan protestat e serbëve që kundërshtojnë hyrjen në këto godina të kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në votimet e jashtëzakonshme të 23 prillit. Zgjedhjet u shënuan nga një pjesëmarrje tepër e ulët për shkak të bojkotit masiv të qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën.

Por, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, kryetarët e Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut hynë forcërisht në godina, të ndihmuar nga policia.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet e të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Pak ditë më parë, Bashkimi Europian vendosi masa ndëshkuese për Kosovën, për mosmarrjen e hapave të kërkuar për zgjidhjen e krizës në veri.

“Të padrejta” i cilësoi kryeministri Albin Kurti masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës. Dje gjatë përurimit të parkut të ri në fshatin Davidoc të Shtimes, Kurti tha se “shteti i Kosovës nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë”.