Aktualitet

Marrëveshja me Italinë, “The Times” zbulon planimetrinë e qendrës së emigrantëve në Shëngjin!

Për herë të parë, britanikja “The Times” publikoi planimetrinë e qendrës së emigrantëve që planifikohet të ngrihet në Shëngjin të Lezhës, por në varësi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen Itali-Shqipëri. Aty përfshihen 4 godina akomodimi, rrethuar me një perimetër sigurie.

Janë menduar dhoma intervistimi për oficerët italianë të emigracionit, si edhe një zonë dedikuar Frontex-it, Agjencisë Europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Kufitar, çka sipas “The Times”-it, sugjeron se në projekt është përfshirë edhe BE-ja.

“The Times” shkruan se “zyrtarët britanikë po e ndjekin me shumë vëmendje marrëveshjen Itali-Shqipëri”, por ministri i Brendshëm, Taulant Balla i tha kësaj gazete se “kjo marrëveshje do të jetë vetëm për Italinë”.

Nga Gjykata e Lartë, qeverisë britanike iu rrëzuan planet për të çuar azil-kërkuesit në Ruandë dhe mediat angleze po i bëjnë jehonë marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë. Në artikull, gazeta “The Times” vendosi titullin “Italia i tregon Europës si të veprojë me krizën e emigrantëve”.

Ka një të përbashkët mes planeve britanike për Ruandën dhe Italisë në sjelljen e azilantëve në Shqipëri: proceset ligjore bllokuese nga gjykata, ajo e Lartë britanike dhe Kushtetuese në Shqipëri. Por, ministri Balla ka besim se Gjykata Kushtetuese do ta miratojë. “Për këtë jam 100% i sigurt”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Nga opozita në artikull citohet edhe Belind Këlliçi, i cili deklaroi:

Përmes arrogancës, kryeministri Edi Rama u përfshi në një marrëveshje sekrete me italianët.

Gazetari Tom Kington ishte në Shëngjin nga ku solli qëndrime mikse të banorëve lidhur me ngritjen e kampit.

Katër ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e procedurave të nisura nga Kuvendi për miratimin e marrëveshjes për emigrantët e të nënshkruar muajin e kaluar në Romë nga kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni.

Marrëveshja parashikon ngritjen në territorin shqiptar të dy qendrave për pritjen e emigrantëve që kapen në ujërat ndërkombëtare nga anijet e autoriteteve italiane. Të dy qendrat, njëra në portin e Shëngjinit që të merren të dhënat personale e të bëhet verifikimi i parë i emigrantëve dhe tjetra në Gjadër, ku duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azilin, parashikohet të jenë nën juridiksionin italian. Çdo shpenzim merret përsipër nga pala italiane.

Nga Roma ku me homologun britanik Rishi Sunak dje ishte me ftesë të Giorgia Melonit, kryeministri Edi Rama u shpreh i sigurt në marrëveshjen për emigrantët me Italinë e theksoi se “nuk është antikushtetuese”.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bëri detyrën e saj, sepse është automatik pezullimi i një marrëveshjeje për ta marrë në konsideratë përpara ratifikimit në Parlament. Vendimi do të dihet deri në mars, por besoj se do të merret shumë më herët, sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe të dyja qeveritë duhet të dinë nëse mund të ecin përpara apo jo.