Sport

Tifozët e Partizanit sulmojnë autobusin e Tiranës, thyhet xhami! Fillon derbi i kryeqytetit

Tirana dhe Partizani luajnë sot në orën 18:30 në “Air Albania”, me ndeshjen derbi që vlen për javën e 33-të në Superligë. Dueli pritet deçiziv për titullin kampion, me Tiranën që kryeson Superligën me dy pikë para rivalëve të kuq.

FSHF ia ka besuar këtë duel arbitrit fierak, Kreshnik Cjapi. Ndihmësa të tij do jenë Denis Rexha dhe Rejdi Avdo të kolegjiumit të Tiranës, teksa në VAR do jetë Florian Lata.

Kolegjiumi i Arbitrave në FSHF e ka pasur të vështirë për të zgjedhur një arbitër për këtë duel, teksa shorti i ka buzëqeshur arbitrit Cjapi. Këtë sezon në Superligë, fieraku ka arbitruar 12 duele, teksa 3 duele ka vendosur drejtësi në Kategorinë e Parë. Për këtë duel janë shitur 18 mijë bileta.

Derbi LIVE:

19:19 – Katër minuta shtesë në fundin e pjesës së parë.

19:16 – Visar Bekaj hero te Tirana, ndal dy goditje radhazi të Partizanit.

18:48 – Në minutën e 18-të të derbit, tifozët e Tiranës kanë hedhur në fushë dy flakadanë. Dueli u ndërpre për pak çaste, teksa Telushi i Partizanit është goditur me një gotë ujë. Asnjë problem për kapitenin e të kuqve. Vijon loja.

18:31 – Ish-trajneri i Kombëtares, Edy Reja është prezent në stadiumin “Air Albania”,

18:30 – Nis derbi Tirana – Partizani me 18 mijë tifozë në stadium.

17:40 – Në momentin që futbollistët do futeshin në stadium, autobusi bardheblu është sulmuar nga tifozët e kuq të Partizanit. Një xham i thyer dhe pak panik, me incidentin që ka mbetur i izoluar. Duket se autobusi i Tiranës ka zgjedhur të futet në parkingun e stadiumit nga ana e gabuar, kjo edhe për shkak të mungesës së organizimit.

17:30 – Trajnerët Orges Shehi dhe Giovanni Colella kanë zbardhur formacionet zyrtare.

16:01 – Ultrasit bardheblu, “Fanatics” kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej”, ndërsa “Guerrilsat” e Partizanit janë grumbulluar dhe nisur nga zona e 21 dhjetorit. Të dyja tifozeritë kanë rrugëtim të ndryshëm për në stadium, me policinë që do shoqërojë ultrasit për mos pasur probleme dhe përplasje mes tyre deri në futjen në stadium.

Arbitrat:

Kryesor: Kreshnik Cjapi (Fier)

Anësorët: Denis Rexha (Tiranë), Rejdi Avdo (Tiranë)

VAR: Florian Lata (Durrës), Ridigert Çokaj (Lezhë)

 

Disfata në zgjedhje/ Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD, Bardhi takim urgjent me Tabakun

Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike dhe nga ai i kreut të grupit parlamentar pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 majit.

Përmes një deklarate për shtyp, Alibeaj tha se do ja paraqesë kërkesën e dorëheqjes organeve drejtuese të partisë, teksa propozoi se PD duhet të udhëhiqet nga një organ kolegjial derisa të zgjidhet kryetari i ri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Gazment Bardhi, i cili thekson se pasi u njoh me deklaratën ka thirrur në mënyrë urgjente një takim pune me Tabakun, për të diskutuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit të partisë.

Sipas Bardhit, në mungesë të zgjatur të kryetarit me aprovimin e Këshillit Kombëtar ai zëvendësohet nga nënkryetari, i cili do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.

“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore.

Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”- tha Bardhi.

“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar”- tha më herët Alibeaj.