Sport

Trajneri Xavi beson ende te titulli kampion…

Barcelona ka marrë fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit në La Liga të shtunën, pasi mposhtën me rezultat të thellë 4-0 Getafen në “Estadi Olimpic Lluis Companys”. Ishte ky një rezultat i cili i dha një shtysë moralit të blaugranasve, të cilët tani kanë ‘rrëmbyer’ vendin e dytë në tabelë  me 57 pikë të grumbulluara, një më shumë se Girona që nesër (e diel) luan ndaj Rayo Vallecanos. Kjo ndeshje ishte padyshim një nga paraqitjet më të mira të Barcelonës këtë sezon dhe për këtë është e kuptueshme se Xavi Hernandez ishte ndarë i kënaqur ashtu siç u shpreh në konferencën për shtyp pas ndeshjes. “Ishte një ndeshje shumë e kompletuar. Ne e dinim si të sulmonim hapësirat disa herë dhe nga aty erdhën golat. Ne u përputhëm me intensitetin e tyre, ne kemi qenë shumë të mirë”, ka thënë Xavi fillimisht.

“Ishte një ndeshje bindëse nga ekipi, ne i kemi befasuar ata. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, fitorja na jep qetësi”. Ky rezultat ka bërë që Barcelona të afrohet në vetëm pesë pikë ndaj liderit Real Madridit, të cilët nesër (e diel) do të jenë në fushë përballë Sevillas, tekniku Xavi beson se ekipi i tij ka ende një mundësi për ta rikthyer këtë diferencë. “Unë tashmë e kam thënë më herët se nuk do ta hedhim peshqirin. Ne duhet të marrim tri pikë çdo fundjavë. Kanë mbetur edhe 12 ndeshje. Të shohim se çfarë do të bëjnë Girona dhe Real Madridi këtë fundjavë”, përfundoi Xavi.