Bota

Treni përplaset me kamionin, 3 viktima e dhjetëra të plagosur në SHBA!

Të paktën tre njerëz kanë vdekur dhe rreth 50 janë plagosur teksa një tren pasagjerësh ka dalë nga binarët mbrëmë në Missouri, njoftonin autoritetet amerikane.

Patrullat e policisë rrugore të Missouri thanë se dy nga të vdekurit ishin në bordin e trenit dhe një ishte në kamionin e mbeturinave me të cilin u përplas në binarë.

Ata shtonin se aksidenti tragjik ndodhi në një kryqëzim të pakontrolluar — pa semaforë apo porta lëvizëse — ku një rrugë zhavorri kalonte mes binarëve në jugperëndim të qytetit.

Treni i linjave Amtrak u përplas me kamionin pranë qytezës së Mendon duke bërë që tetë vagonë të dilnin nga binarët e të përmbyseshin.

Amtrak tha se në tren në kohën e aksidentit gjendeshin 243 pasagjerë dhe 12 anëtarë stafi.

Një shkollë pranë vendit të aksidentit u kthye në një qendër për trajtimin e viktimave, thanë zyrtarët.

Robert Nightingale, një pasagjer me biletë fjetjeje, tha se ishte më gjumë kur dëgjoi zhurmën.

“Gjithçka ndodhi si me xhiro të ngadalëta. Nisi të tundej, të tundej e më pas të anonte derisa dritarja ime ishte përtokë,” tha Nightingale, për rrjetin CNN.

Nightingale tha se shpëtoi pa u plagosur por nuk mund të dilte nga dritarja pasi ajo ishte e bllokuar nga dheu.

Kur arriti të dilte ai tha se kishte shumë vagonë të rrëzuar ndërsa kamioni me të cilin ishin përplasur ishte kthyer në një pirg hekuri.

Kjo është përplasja e dytë vrastare hekurdhore në dy ditë në SHBA.

Të dielën 3 njerëz vdiqën pas përplasjes së një treni rural në Kaliforni me një automjet ne binare. Autoritetet thanë se të gjitha viktimat ishin në automjetin në tokë.