Celebrities Gossip Music

Treshja ‘bombastike’ që do të prezantojë Eurovision 2022!

Treshja e njohur, Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika do të jenë ndër prezantuesit e ceremonisë së “Eurovision Song Contest 2022” në Torino, një lajm që pritet të shpallet zyrtarisht gjatë Festivalit të Sanremos në fillim të muajit Shkurt.

Thashethemet për të tre yjet kanë qarkulluar prej muajsh dhe sipas agjencisë së lajmeve italiane, ‘Adnkronos’, këngëtarja Laura Pausini dhe drejtuesi televiziv Alessandro Cattelan kanë nënshkruar tashmë kontratat e tyre, me përjashtim të këngëtarit britanik, Mika, i cili e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen e tij, por që thuhet se tashmë është gati të nënshkruajë kontratën.

Njoftimi zyrtar pritet të vijë në natën e dytë të Sanremos, me 2 Shkurt sepse Pausini është planifikuar të shfaqet si e ftuar speciale atë mbrëmje. Më herët u bë me dije se Laura Pausini, një ndër artistet më të njohura italiane në botë ishte mes emrave të lakuar për t’u shfaqur në rolin e prezantueses në “Eurovision Song Contest 2022”.

Rikujojmë se këngëtarja e njohur Ronela Hajati u shpall fituese e Festivalit të 60-të të Këngës në RTSH, me këngën “Sekret”. Ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision dhe së fundmi ka ndarë lajmin se është renditur si artistja e parë që do të përformojë në natën e parë të festivalit europian. Këtë vit festivali më i madh muzikor evropian do të zhvillohet më 10, 12 dhe 14 maj në Pala Olimpico në Torino, Itali.