Aktualitet Politikë

Turi i anëtarësimeve të reja të PS-së në Njësinë nr.5 të Tiranës/Veliaj: Kemi mbajtur premtimet!

Në vijim të fushatës së anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste, Njësia nr.5 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e drejtuesit politik socialist për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë për të rinjtë, si një mundësi për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

Për sa kohë që secili prej nesh, me veprimin ose mosveprimin e tij është duke bërë politikë, atëherë pse mos ta bëjmë këtë në mënyrë të organizuar? Pse mos ta bëjmë këtë si skuadër? Pse mos të aplikojmë parimin “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, në një frymë që është skuadra jonë, është familja jonë, Partia Socialiste e Shqipërisë? Dua shumë që ta çojmë këtë punë deri në fund dhe për 100 organizata që kemi, të kemi 400 anëtarë të rinj, si çunat dhe gocat fantastikë që sot do të marrin kartën.

Veliaj foli edhe për ato zëra, kryesisht analistë, që ankohen nëpër rrjete sociale.

Shoh disa prej këtyre analistëve që japin mend si duhet ta bëjë Edi Rama qeverinë apo si duhet ta bëjmë ne bashkinë. Më vjen keq, në qoftë se ti nuk merr pjesë, mund të rrish tërë natën në televizor, pastaj në Facebook, bëhesh analisti i divanit dhe kolltukut, por kjo nuk ka asnjë peshë sepse ti vetë nuk e ushtron të drejtën tënde për të dhënë një mendim.

Një person që bashkohet me një parti politike, nuk ka rëndësi me kë, tregon se është më shumë se thjesht një banor. Një qytetar merr pjesë te takimi me prindër në shkollë, një qytetar merr pjesë tek asambleja e pallatit për fatet e pallatit dhe një superqytetar angazhohet politikisht, për të marrë pjesë te tavolina ku vendoset për fatet e për të ardhmen e vendit, të qytetit, të shtetit, të lagjes dhe komunitetit ku jeton.

Veliaj nënvizoi se në drejtimin e vendit e të bashkisë, PS-ja ka treguar që di të bëjë punë e të jetë pranë qytetarëve.

Në çdo njësi, sot ka një hapësirë dinjitoze ku ti mund të bësh një mbledhje komunitare. Pra, fakti se në çdo njësi kemi holle të tilla, më bën të ndihem krenar. Jo se i kemi bërë të gjitha gjërat, se ndryshe politika do të mbaronte, ndryshe nuk do të kishte zgjedhje as në Zvicër, në qoftë se Zvicra i ka bërë të gjitha gjërat. Në asnjë vend nuk mjaftojnë gjërat sepse gjithmonë dalin nevoja të reja.

Por, ne kthehemi me kokën lart se kemi mbajtur një pjesë të madhe të angazhimeve tona, duke filluar nga gjërat madhore që janë ikona të Njësisë 5, si Kopshti Zoologjik apo Parku i Liqenit, si Parku Olimpik ose investime të tjera të shkollave, kopshteve dhe çerdheve e deri te disa gjëra të vogla, siç është administrimi i pallatit dhe veshja me kapot. I kemi mbajtur premtimet tona.