Bota Tech

Twitter i jep fund politikës së menaxhimit të lajmeve të rreme për COVID-in!

Gjiganti Twitter i dha fund politikës për luftën ndaj informacionit të rremë lidhur me pandeminë e koronavirusit. Sipas njoftimit zyrtar, kompania nuk është duke ndërmarrë veprime kundër postimeve që shkelin rregulloret e përcaktuara sa i përket lajmeve rreth këtij virusi.
Më parë, Twitter informonte se deri në muajin shtator pati pezulluar më shumë se 11 mijë llogari për përhapje të informacionit të rremë për COVID-in, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

Ndërkohë, bëhet e ditur se vazhdojnë të zbatohen politikat e tjera mbi informacionin e rremë. Në politikën specifike për COVID-in, Twitter pezulloi për disa orë e në të tjera raste edhe përgjithmonë llogaritë e atyre që vazhdimisht postonin lajme të rreme për koronavirusin. Pasi e bleu për 44 miliardë dollarë, njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, u zotua që Twitter-in ta kthejë në hapësirë për shprehjen e lirë të mendimit.

Për koronavirusin e ri, për herë të parë u raportua në dhjetor të vitit 2019, në Uhan të Kinës. Nisur nga numri i lartë i rasteve të infektimeve e fataliteteve, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.5 milion njerëz kanë gjetur vdekjen që prej shpërthimit të pandemisë në nivel global. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë duke regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India e Brazili.

Javët e fundit, në Kinë pati protesta të pazakonta kombëtare kundër masave kufizuese për t’u mbrojtur nga COVID-i, por u shtypën nga autoritetet kineze. Manifestimet nisën javën e kaluar, në shenjë pakënaqësie pas zjarrit që shpërtheu në qytetin Urumçi në perëndim të Kinës, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave.

Protestuesit thanë se pasojat nuk do të ishin kaq tragjike nëse njerëzit do të arrinin të largoheshin në kohë, por se kufizimet anti-COVID e bënë të pamundur një gjë të tillë. Në anën tjetër, zyrtarët kinezë e hedhin poshtë këtë pretendim. Përveç dhënies fund të kufizimeve për pandeminë, në protesta u hodhën edhe thirrjet e rralla që lideri i shtetit aziatik, Xi Jinping të japë dorëheqje.

Siç dihet, Kina zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus, që përfshin karantina të gjata dhe testime të shpeshta. Në fakt është ndër vendet e fundit në botë që praktikon masa të tilla për menaxhimin e pasojave të virusit.