Aktualitet

U akuzuan për shembjen e pallatit pas tërmetit, Gjykata e Durrësit i fal!

7 të akuzuar si përgjegjës për pasojat fatale të tërmetit të 26 nëntorit, Gjykata e Durrësit dha pafajësi për 4 prej tyre. Ata u akuzuan se përmes veprimeve dhe mosveprimeve në procesin e kolaudimit, legalizimit të ndërtimeve apo ndërhyrjeve të paligjshme në strukturat e objekteve çuan në pasojat tragjike.

U vendos pafajësi për Artur Terziun, pronar i lokalit te pallati 6-katësh që u shemb nga lëkundja, ndërsa për zgjerimin e lokalit në fjalë ishte ndërhyrë në kolona, siç përcaktoi ekspertiza. Pafajësi edhe për ish-kreun e ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi, ish-kreun e INUK-ut, Artur Çela dhe arkitekten Neviana Isufi.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit vendosi deklarimin fajtor të të pandehurve Skerdi Bello, Albrend Qetka e Aldo Dekovelli për kryerjen e veprës  penale  “Shpërdorim  detyre”. Në përfundim i dënoi ata me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh. Prokuroria e Durrësit deklaroi se do e ankimojë vendimin.

Shijaku ishte mes zonave që vuajtën pasojat e tërmetit shkatërrimtar të rreth tre viteve më parë e ku në prani të kryeministrit Rama, sot u shpërndanë apartamentet e reja. Janë 637 të tillë vetëm se gjysma e familjeve, tashmë janë larguar nga vendi.

Në 637 apartamente të reja, 247 janë për familje që kanë humbur shtëpinë, ndërkohë që janë në emigracion dhe ne nuk kemi bërë asnjë dallim. Atyre që janë këtu, 390 familjeve që janë këtu u kemi dhënë bonusin e qerasë, ndërkohë që atyre që janë në emigracion u kemi ndërtuar shtëpinë sepse unë jam i bindur që më herët sesa vonë shumëkush prej tyre do të kthehet këtu. Ky është një trend historik.

Rama vlerësoi punën e kryebashkiakut Elton Arbana në udhëheqjen e rindërtimit në Shijak.

Ne e duam prapë kryetar bashkie. Ndër kryetarët e bashkive të zonave të tërmetit është më i dalluari sa afër i ka ndejtur njerëzve për sa efikas ka qenë e sa urtësisht e mençërisht i ka zgjidhur konfliktet.