Bota Celebrities

U tha se humbi jetën nga infarkti, por zbulohet shkaku i vërtetë i vdekjes së Ivana Trump-it!

Fillimisht u bë e ditur se ishte një infarkt kardiak që mbrëmjen e së enjtes i mori jetën sipërmarrëses së njohur amerikane, Ivana Trump, gruas së parë të ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Por, Ivana u shua në moshën 73-vjeçe, duke mos iu mbijetuar dëmtimeve nga një rrëzim nga shkallët. Lajmi bëhet i ditur nga rrjeti televiziv amerikan, ABC, referuar burimeve pranë ekipit mjeko-ligjor që kreu autopsinë. Në fakt, më 14 korrik, Ivana Trump u gjet e pajetë në fund të shkallëve të apartamentit të saj, në lagjen Upper East Side të Nju Jorkut.

Sipas mediave amerikane, vdekja e Ivana Trump-it u konstatua nga mjekët e urgjencës që shkuan në Upper East Side, pas një telefonate për një infarkt kardiak. Më tej, policia amerikane saktësoi se nuk kishte asnjë element të dyshimtë në vdekjen e Ivanës dhe se gjithçka erdhi për shkaqe natyrore. Më pas, nisën hetimet për të përcaktuar nëse nëna e tre fëmijëve të parë të Donald Trump-it, Ivanka, Donald Jr dhe Eric, vdiq apo jo si pasojë e rrëzimit.

Një tjetër element që duket se konfirmon këtë hipotezë, vjen nga New York Post. Zach Erden, i identifikuar si mik i Ivanës, tregon se kohët e fundit, ajo ka patur dhimbje në këmbë e madje nuk ishte në gjendje të dilte. Më 22 qershor ka qenë hera e fundit kur Ivana Trump u fotografua jashtë, në rrugët e Manhattanit.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse rrëzimi ishte aksidental apo për shkak të një problemi shëndetësor. Por, nuk ka dyshime pasi hetuesit e kanë përjashtuar kategorikisht se mund të bëhet fjalë për vrasje. Ivana Trump, nuk është vrarë! Në shtëpinë e saj nuk ka patur asgjë të dyshimtë, që të çojë në hetime duke u fokusuar te kjo pistë.

Në shenjë “dashurie dhe respekti” për ish-bashkëshorten, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump shtyu një takim me zgjedhës në Arizonë. Tashmë, ky takim do të mbahet të premten e ardhshme, më 22 korrik.