Bota

Ukraina: Luftimet në lindje janë intensifikuar! Ne jemi në mbrojtje!

Luftimet në lindje të Ukrainës janë intensifikuar pasi forcat ushtarake ukrainase dhe ato ruse janë duke u përleshur në të paktën tri zona në atë rajon, ka thënë zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar.

Kievi e ka nisur tashmë kundërofensivën e shumëpritur për të rikthyer territorin e pushtuar nga Rusia, si dhe ka shënuar përparim në disa pjesë në lindje dhe jug të shtetit.

Maliar ka thënë në Telegram se forcat ruse janë duke sulmuar në Kupjansk, në rajonin e Harkivit, për të dytën ditë me radhë.

 “Ne jemi në mbrojtje. Ka beteja të ashpra, pozicionet në të dyja anët ndryshojnë në mënyrë dinamike disa herë në ditë”.

Maliar e ka përmendur, po ashtu, se të dyja ushtritë janë duke luftuar edhe afër qytetit të shkatërruar të Bahmutit, por që, sipas saj, forcat ukrainase “po lëvizin gradualisht” në anën jugore të tij.

Ajo ka thënë se trupat ushtarake të Kievit janë duke zmbrapsur sulmet ruse edhe në Avdivka dhe Marianka.

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë të dielën televizionit shtetëror rus se kundërofensiva ukrainase “nuk është duke pasur sukses” dhe se përpjekjet për ta thyer mbrojtjen ruse kanë dështuar.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.