Rajoni

Kurti: Nëse kryetarët e komunave nuk hynin në zyrat e tyre, sot veriu do të ishte me struktura ilegale serbe!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pretendon se nëse ai nuk do të ndërmerrte veprimin për të dërguar në veri të vendit, kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe, aty do të vendoseshin strukturat ilegale serbe.

Në vazhdën e intervistave të shpeshta që Kurti po jep që nga rikthimi i tensioneve në veri, me serbët që protestojnë duke penguar hyrjen e kryetarëve në ndërtesat komunale e po ashtu kërkojnë largimin e policisë së Kosovës, për “Geopost”, shefi i qeverisë së Prishtinës thotë se “kryetarët e komunave nuk mund të vendoseshin në vend tjetër, përveçse në zyrat e tyre” se në të kundërt, “Kosova do të krijonte struktura paralele përballë atyre paralele ilegale serbe që mund të krijoheshin në veri”.

Kurti ka treguar se ai është në komunikim të vazhdueshëm edhe me faktorin ndërkombëtar për situatën në veri të Kosovës.

Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë e natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor, të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në veri, kur u njoh rezultati e kur u njoh betimi, ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillonin punën në vendin e tyre.

Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private, ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale. Ne nuk mund t’ju bëjmë struktura paralele, strukturave paralele.

Pra, ishim në një situatë të vështirë ku nuk kishim një zgjidhje ideale, por megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na kanë dhënë e po na japin.

Ndonjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, ndonjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike, le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve, ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.