Bota

Vaksinës anti-COVID, Pfizer&BioNTech mund t’i duhet formulë e re!

Shefi Ekzekutiv i kompanisë gjermane, BioNTech, që me Pfizer-in amerikan prodhoi vaksinën e parë anti-COVID me efikasitet të lartë, parashikon që deri në mes të vitit të ardhshëm, mund të duhet një formulë e re. Qëllim kryesor është mbrojtja kundër mutacioneve të ardhshme të koronavirusit.

Ugur Sahin i tha gazetës “Financial Times” se “me kalimin e kohës, mutacionet e zvogëlojnë përgjigjen imunitare të trupit”.

Këtë vit, nuk është e nevojshme vaksina e re, por në mes të vitit 2022, mund të krijohet një situatë tjetër. Varianti Delta i koronavirusit që aktualisht dominon në pjesën më të madhe të botës është më ngjitës, por jo aq i ndryshëm, sa t’i bëjë jo efektive vaksinat që po përdoren.

Por, Sahin e ka të qartë se përderisa koronavirusi vazhdon të pësojë mutacione, mund të dobësojë efektivitetin e vaksinave.

Ky virus do të qëndrojë e do të përshtatet.

Vaksina Pfizer&BioNTech përdor teknologjinë e njohur si ARNm e pritet të ndryshohet së shpejti, për t’iu përgjigjur varianteve të reja të virusit. Sipas shifrave të Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 234 milion njerëz në të gjithë botën. Më shumë se 4.8 milion prej tyre, fatkeqësisht ndërruan jetë, duke mos i mbijetuar sëmundjes. Deri tani, në nivel global janë dhënë më tepër se 6.3 miliard vaksina kundër COVID-19/ës.