Bota

Vdekjet misterioze të miliarderëve rusë, viktima e 8-të nga janari!

Humb jetën në rrethana të paqarta, ish-menaxheri i Lukoil, Aleksandr Subbotin, ndërsa javët e fundit po raportohet për një seri vdekjesh misterioze të biznesmenëve rusë, që nga koha kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Mediat raportojnë se hetuesit në Moskë presin përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore ndërsa dyshohet se miliarderi mund të ketë konsumuar një mbidozë droge. Subbotin u gjet i pajetë në bodrumin e një shtëpie në qytetin Mitishçi, pranë kryeqytetit rus. Pronari i banesës, Aleksei Pindyruin, i cili njihet edhe me emrin Shaman Magua dëshmoi se Subbotin i shkoi në shtëpi, nën ndikimin e drogës dhe alkoolit.

Më 21 prill, Vagit Alekperov, themeluesi dhe bashkëpronari i Lukoil-it, kompanisë më të madhe private ruse të naftës dha dorëheqje, pasi u sanksionua nga Australia e Mbretëria e Bashkuar, po për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Pak ditë më parë, mediat në Spanjë raportuan se një ish-menaxher i gjigantit rus të naftës, Novatek, Sergei Protosenya, si dhe bashkëshortja e vajza e tyre u gjetën të vdekur në një vilë të marrë me qira në Lloreta de Mar, pranë Barcelonës. Ai ishte i varur, ndërsa gruaja dhe e bija, të goditura me thikë.

Më 18 prill, ish-presidenti i institucionit kryesor financiar rus, Gazprombanka, Vladislav Avayev, u gjet i vdekur në Moskë, me bashkëshorten dhe vajzën, të cilat i vrau, para se t’i jepte fund jetës.

Më 24 mars, një tjetër miliarder rus, Vasily Melnikov, pronar i kompanisë farmaceutike MedStom, gruaja dhe dy djemtë u gjetën të vrarë në banesën e tyre në qytetin rus, Nizhni Novgorod.

Më 28 shkurt, miliarderi rus, Mikhail Watford u var në garazhin e shtëpisë e tij në Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarët britanikë nuk dyshojnë për vrasje.

Më 25 shkurt, një ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, menaxheri i gjigantit të energjisë ruse Gazprom, Aleksandr Tyulyakov, u gjet i varur në garazhin e shtëpisë së tij në Shën Pjetërburg. Policia i gjeti letrën e vetëvrasjes.

Edhe zyrtari tjetër i lartë i Gazpromit, Leonid Shulman, në janar u gjet i vdekur në një shtëpi pranë Shën Pjetërburut, disa javë para se të niste pushtimi i Ukrainës. Edhe në këtë rast, policia gjeti një letër ku tregonte se po kryente vetëvrasje.