Rajoni

Shuhet ish-presidenti Karolos Papulias!

Shuhet ish-presidenti i Greqisë, Karolos Papulias. Politikani veteran grek ishte 92-vjeç. Në krye të shtetit ishte edhe në kulmin e krizës ekonomike të viteve 2008-2009.
Presidentja Katerina Sakellaropoulou:

Me trishtim i dërgojmë përshëndetjet tona të fundit Karolos Papuliasit. Ai e nderoi institucionin më të lartë shtetëror me etikën dhe sjelljen e tij, duke mbrojtur me forcë kohezionin social dhe unitetin kombëtar.

I ardhur nga radhët e Partisë Socialiste, PASOK, për herë të parë, Karolos Papulias u zgjodh president në vitin 2005, përpara se të zgjidhej për një mandat të dytë 5-vjeçar në 2010-ën, në fillim të krizës greke, e cila e zhyti vendin fqinj në trazira politike dhe në krizën më të rëndë ekonomike në dekada.

Më pas, u përball me zemërimin e grekëve dhe popullariteti i tij pësoi një goditje fatale për mbështetjen ndaj masave shtrënguese, të diktuara nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në tetor 2012, Greqia ishte në grahmat e një krize spirale borxhi dhe shkurtimesh jopopullore të pagave. Papulias sillte në vëmendje kohën e Luftës së Dytë Botërore.

Ne luftuam për Greqinë. Unë isha një luftëtar i rezistencës në moshën 15-vjeçare, duke luftuar kundër nazizmit dhe gjermanëve.

I lindur në Janinë, më 4 qershor 1929, ishte aktiv në rezistencën antinaziste nga viti 1942 deri në vitin 1944, kur ishte vetëm një adoleshent. Pas studimeve për drejtësi në Athinë, Milano (Itali) dhe Këln (Gjermani), ai u bë avokat në vitin 1963, profesion të cilin e mbajti deri në vitin 1981, kur u emërua Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme nga Andreas Papandreu. Gjatë diktaturës së kolonelëve (1967-1974), ai shkoi në mërgim në Gjermani dhe u bë një nga bashkëthemeluesit e Lëvizjes Socialiste Panhelene (Pasok) të udhëhequr nga Andreas Papandreu. Deputet nga viti 1977 deri në vitin 2000, ka qenë dy herë ministër i Jashtëm në qeveritë socialiste (1985-1989 dhe 1993-1996).

Karolos Papulias ishte një nga politikanët e parë që hoqi dorë nga paga e tij, në shenjë solidariteti “për sakrificat e popullit”.