Bota

Videoja që shfaqi çiftin e të rinjve duke kërcyer bëhet shkak që të dënohen me 10 vjet burg!

Një çift iranian rreth të 20-tave është dënuar me 10 vjet burg pasi postuan një video të tyre duke kërcyer në rrugë. Ata thuhet se u dënuan për promovim të korrupsionit, prostitucionit dhe propagandës. Përmes një videoje ata shfaqeshin duke kërcyer pranë Kullës Azadi të Teheranit.

Autoritetet po japin dënime të rënda për njerëzit që shihen si të përfshirë në protesta pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeç që u ndalua nga policia e moralit. Një burim ka konfirmuar për ‘BBC Monitoring’ se arrestimi i çiftit erdhi pasi ata postuan videon në llogaritë e tyre në Instagram, të cilat kanë një numër të përgjithshëm prej afro dy milionë ndjekës.

Çifti i arrestuar është Astiyazh Haghighi, 21 vjeç dhe i fejuari i saj Amir Mohammad Ahmadi, 22 vjeç. Ata janë dënuar secili me gjithsej 10 vjet e gjysmë, një dënim i kombinuar për akuzat. Sipas raportimeve, atyre u është ndaluar për dy vjet përdorimi i rrjeteve sociale dhe u është urdhëruar largimi nga vendi.

Haghighi nuk mbante shami, në kundërshtim me rregullat strikte të Iranit. Gratë gjithashtu nuk lejohen të kërcejnë në publik, aq më tepër me një burrë. Burime të afërta me familjet e tyre thonë se ata nuk ishin lejuar të kishin avokatë gjatë procedurave gjyqësore dhe përpjekjet për të siguruar lirimin me kusht ishin refuzuar.

Lëvizja protestuese e Iranit që filloi në shtator është bërë një nga sfidat më serioze për regjimin iranian që kur erdhi në pushtet në revolucionin e vitit 1979. Për të shuar protestat, shteti ka dhënë dënime të rënda për njerëzit e përfshirë në trazira, duke përfshirë ekzekutimin e të paktën katër protestuesve në fillim të këtij muaji dhe në dhjetor.

Ndërsa vdekja e Mahsa Amini ishte katalizator për trazira më të gjera në Iran, ajo është nxitur gjithashtu nga pakënaqësia e gjatë mbi varfërinë, papunësinë, pabarazinë, padrejtësinë dhe korrupsionin. Qindra janë vrarë dhe mijëra të arrestuar gjatë demonstratave mbi rrethanat e vdekjes së saj.