Bota

Vitamina A për trajtimin e humbjes së nuhatjes nga COVID-i!

Ikja e nuhatjes është mes simptomave më të përhapura nga koronavirusi, te njerëzit e prekur. Por, duket se në Mbretërinë e Bashkuar e kanë zgjidhjen e disa studiues të Universitetit të Anglisë Lindore sugjerojnë Vitaminën A. Ky është rezultat i një studimi që vijon prej 12 javësh.

Pika të Vitaminës A mund të trajtojnë humbjen ose ndryshimin e nuhatjes te disa pacientë që kanë kaluar koronavirusin.

Trajtimin po e marrin vetëm një pjesë e pacientëve vullnetarë, ndërsa të gjithëve iu kërkohet të nuhasin aroma të rënda, siç janë ato të vezëve të prishura apo të trëndafilave të kalbur. Më pas, skanimet e trurit verifikojnë nëse Vitamina A i riparon apo jo kanalet e dëmtuara të nuhatjes. Humbja ose ndryshimi i nuhatjes përveçse simptomë e zakonshme e koronavirusit, lidhet edhe me viruse të tjera apo me gripin stinor. Te shumica e njerëzve, nuhatja rikthehet brenda disa javësh, por disa mbeten me çrregullime për kohë më të gjatë.

Ndërkaq, vëmendja është përqëndruar te vaksinimi anti-COVID me shpresën që pandemia të kalojë sa më shpejt e që njerëzit e infektuar edhe pas marrjes së vaksinës, të shfaqin simptoma më të lehta, si dhe të ulet ndjeshëm shkalla e vdekshmërisë.

Referuar të dhënave të fundit të Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara, viktimat e koronavirusit në nivel global janë mbi 4 milion e 700 mijë dhe rastet, rreth 233 milion. Sa i përket dozave të vaksinave, janë më shumë se 6 miliard.

Por një problematikë lidhet me detyrimin për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, nisur nga refuzimet e hezitimet e shumë njerëzve në botë. E kjo ka bërë që të përballen me pasoja në vendet ku punojnë. Nga raportimet më të fundit, mësohet se “United Airlines” do të pushojë 593 punonjës që nuk pranojnë të vaksinohen, por në përgjithësi, kompania ajrore amerikane shprehet e kënaqur me ecurinë e vaksinimit në radhët e stafit të saj.