Bota

Vitin e ardhshëm, Moderna rrit prodhimin e vaksinave anti-COVID

Moderna pret të rrisë prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit deri në tre miliardë doza, në vitin 2022. Kompania farmaceutike amerikane tha se prodhimi do të dyfishohet në fabrikat e saj në Zvicër dhe Spanjë, ndërsa do të rritet me 50% në ato të Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, Moderna rriti parashikimet për furnizim këtë vit deri në një miliard doza. Njoftimi vjen pasi përhapja e varianteve të koronavirusit në vende si India, ka rritur shqetësimet për kapacitetet e botës për të kapërcyer pandeminë. Vaksina Moderna është autorizuar për përdorim te të rriturit në Amerikë, Bashkimin Europian dhe shumë vende të tjera.

Shefi Ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel:

Ndërsa vazhdon përhapja e shpejtë e varianteve të koronavirusit, ne besojmë se do të ketë nevoja të mëdha për vaksinën tonë.

Vaksina është 94.1% efektive.

Vitin e kaluar, Moderna nisi testimin e vaksinës së saj edhe te fëmijët 12 deri në 17-vjeç por rezultatet e këtij testimi nuk janë publikuar ende.

Muajin e kaluar nisi testimi edhe te fëmijët nga 6 muaj deri në 11-vjeç. Në studim janë edhe ndryshimet e dozave, për t’i përshtatur më mirë me mutacionet e koronavirusit.