Lajmet e fundit Rajoni

Von Cramon, kritikon Francën për qëndrimin rreth heqjes së vizave për Kosovën!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon deklaroi se Qëndrimi i Francës për mosliberalizimin e vizave për Kosovën është më të vërtet diskriminues.

Ajo ka deklaruar se shpreson që në një të ardhme të shohë qëndrime më pak të polarizuara brenda Bashkimit Evropian, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, sidomos në Francë. Pasi sipas saj, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim vizash dhe Bashkimi Evropian nuk ka kryer detyrat e veta.

Megjithatë, von Cramon, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë në çështje të korrupsionit dhe reformave, në mënyrë që qevritë kundër liberalizimit të binden.

E pyetur nëse ka mundësi që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se nuk ka dijeni për diçka të tillë, pasi të paktën në të kaluarën, këto çështje nuk kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën.

Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Vendit i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian megjithatë vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.