Aktualitet

Vrasja në Lezhë, reagon policia: Benzi që u përdor, i vjedhur në 2022 në Berat

Policia e Shtetit ka reaguar pas gjetjes së makinës së djegur ditën e sotme në Gjadër të Lezhës. Makina tip “Benz” është djegur tërësisht, ndërsa brenda saj ka qenë edhe arma tip automatik dhe gëzhoja që po ashtu janë djegur.

“Blutë” bëjnë me dije se makina e cila dyshohet se është përdorur për atentatin ku mbeti i vrarë Nikolin Marku (Lekstakaj), është vjedhur në Dimal të Beratit në shtator të vitit 2022.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2023, në Balldre të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi N.M.(L).

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç,në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.

Nga kqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit N.M.(L). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime.

Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.