Rajoni

Vuçiç: Pres lajme të këqija për Serbinë/Do ta ndryshojmë qasjen në dialog!

Aleksander Vuçiç pret “vetëm lajme të këqija” për Serbinë. Presidenti serb paralajmëroi se Bepgradi do ta ndryshojë qasjen në dialogun me Kosovën dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Referuar anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Vuçiç kujtoi se i kanë paralajmëruar për pasojat nëse kjo ndodhte. Ai hodhi akuza kur tha se “ata mendojnë se kanë të drejtë ta interpretojnë marrëveshjen jo në mënyrë të gabuar apo si të duan, por të rreme”.

Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse synimi i dikujt është që ta shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës.

Në marrëveshjen e arritur në fillim të vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndër të tjera, Serbisë i kërkohet edhe të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova shpreson të mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, pasi më 13 mars, qeveria e Albin Kurtit i kërkoi Agjencisë Kadastrale t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Kryeministri Kurti tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën do të ishte vendimtar për pranimin e Kosovës në KE, gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni e që do të zhvillohen në muajin prill.

Në rast se Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Qeveria e Kosovës pret që kjo të ndodhë në muajin maj. Në atë rast është e mundur që anëtarësimi në Këshillin e Europës të kushtëzohet edhe me çështje të tjera.

Zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar tha për Radion Evropa e Lirë se janë disa vende europiane që po kërkojnë edhe dy kushte për anëtarësimin e Kosovës.

Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri dhe tjetri është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Vuçiç paralajmëroi ndryshime në qëndrimin e shtetit të tij në dialog.

Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjet tona. Nuk do të na çojnë më përpara një akti të përfunduar e të na thonë se kanë rënë dakord të bëhet pagesa këtu, më pas të paguhet atje dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera.