Celebrities Fashion

Xhupat e fryrë janë zyrtarisht në modë!

Kur temperaturat bien, është e lehtë të veshësh vetëm një xhup çfarëdo qoftë ai, i cili mjafton të të mbajë ngrohtë. Nuk ka rëndësi se sa fantastike është veshja juaj poshtë, kur një xhup gjigant i fryrë deri në kyçin e këmbës, rrallë ju bën të ndiheni stil. Por, rezulton se këtë dimër mund të jesh e veshur bukur dhe njëkohësisht të jesh ngrohtë, të paktën këtë po e dëshmojnë të famshmit. Yjet si: Rihanna, Irina Shayk dhe Bad Bunny kanë zgjedhur të veshin xhupa të fryrë me ngjyra të ndryshme.

Sigurisht, ne kemi parë të vishen këta xhupa në pasarelë nga modele të ndryshme për disa vite me rradhë. Ndërsa sot, VIP-at po e sjellin këtë veshje në përditshmëri. Në fillim të këtij muaji në New York, Rihanna u shfaq e veshur me një xhup të fryrë të shkurtër me ngjyrat: e kuqe, lejla dhe e bardhë. Ajo e përfundoi pamjen e saj me një palë çizme ngjyrë lejla plot shkëlqim nga marka e njohur “Balenciaga”.

Ndërsa modelja Irina Shayk u pa e veshur me një xhup të gjatë, ngjyrë të zi, të thjeshtë. Gjithashtu, ajo kishte veshur një golf të zi, pantallona të gjata në ngjyrë të zezë dhe këpucë në po të njëjtën ngjyrë.

Ashtu si Kim Kardashian e cila u pa e veshur me një xhup të gjatë të fryrë ngjyrë vishnje, të materialit lëkurë edhe Billie Eilish ka preferuar të veshë xhup të gjatë të fryrë në ngjyrë të kuqe të theksuar. Ylli i “Keeping Up With The Kardashian”, kishte zgjedhur ta kombinonte me një palë taka ngjyrë rozë, ndërsa këngëtarja Eilish ishte e veshur e gjitha në të kuqe.

Reperi i njohur Bad Bunny, u shfaq i veshur në “American Music Awards” këtë muaj, me një xhup të fryrë ngjyrë pastel, të cilin e kishte kombinuar me pantallonat e tij ngjyrë mente.

 

Ndërkohë, reperi amerikan Lil Nas X, performoi në “iHeart Jingle Ball” i veshur totalisht me një ngjyrë rozë plot shkëlqim, por ajo që binte më shumë në sy ishte xhupi i shkurtër, të cilin tashmë mund ta shohim të veshur nga kushdo.

Kjo tregon se ky model është është me të vërtetë “IN” për këtë sezon dimëror. Xhupin e fryrë të çfarëdo lloj gjatësie, mund ta kombinoni lehtësisht me veshje klasike ose sportive.