Bota

200 mijë pushues britanikë të bllokuar në aeroportet e Europës!

Një kaos i vërtetë është krijuar me pushuesit britanikë në Europë, teksa mbi 200.000 prej tyre kanë ngelur të bllokuar në aeroporte, pas problemeve në sistemin kontrollit ajror në vendlindje. Vonesat, shtyrjet e orareve, por edhe qindra anulime fluturimesh kanë acaruar britanikët, të cilëve iu është thënë se situata kaotike mund të vijojë për dy javë dhe fluturimet e radhës për në shtëpi mund të ndodhin në fund të javës së ardhshme.

Situata e rënduar me fluturimet në fundin e sezonit turistik, kur mijëra britanikë kthehen në ishull, vjen në një kohë kur paga e shefit të kontrollit të trafikut ajror në Mbretërinë e Bashkuar, Martin Rolfe, ka shkuar në 1.3 milionë paund. Ndërkohë, pushuesit po përballen me kosto në rritje për të mbuluar ushqimin dhe dhomat e hoteleve, pa e ditur se kush do t’ua paguajë faturën.

“Gabimi teknik” i së hënës çoi në anulimin e 790 fluturimeve në nisje dhe 785 në mbërritje në Britani, ose 27 përqind e trafikut ajror të ishullit, duke lënë shumë avionë dhe ekuipazhe në vendet e gabuara po ashtu. Qeveria dhe Shërbimet Kombëtare të Trafikut Ajror përjashtuan një sulm kibernetik, por ata nuk mohuan spekulimet se një plan i vetëm fluturimi, i futur gabimisht nga një linjë ajrore franceze e shkaktoi të gjithë situatën.