Sociale

Termometri deri në -23 gradë, ja zona ku priten temperatura ekstreme të martën

Vendi ynë do të përfshihet nga temperatura ekstremisht të ulta për rajonin ku ndodhemi duke filluar nga fundjava. Nisur nga temperaturat e ulta, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin gjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme.

I gjithë rajoni pritet të “ngrijë” për shkak të rrymave ajrore të ftohta që vijnë nga veriu i kontintetit, ndërsa në Shqipëri pritet të shënohet edhe temperatura më e ultë e këtij viti, -23 gradë Celsius.

Stacionet meteorologjike ndërkombëtare raportojnë se zona më e ftohtë gjatë këtyre ditëve do të jetë ajo mes Librazhdit dhe Bulqizës, ku në fshatrat Klenjë, Qarrishtë dhe Okshin pritet që termometri të zbresë deri në -23 gradë Celsius.

Temperaturat e ulta do të karakterizojnë të gjithë vendin, përfshi edhe ato bregdetare. Në Vlorë për shembull, termometri pritet të zbresë nën zero, kurse në Durrës do të jetë vetëm 1 gradë Celsius.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi u shpreh se sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni, madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius.

“Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”.