Aktualitet

A mendoni se ka ardhur momenti për të patur një presidente grua në Shqipëri? Ja çfarë thotë sondazhi i TAR…

Më herët gjatë muajit që lamë pas, deputetët socialistë zhvilluan publikisht procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për President. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, secili nga deputetët dhe anëtarët plotësoi një fletë me tre emra dhe e futi në një zarf e më pas në një kuti. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Edi Rama, theksoi se socialistët kanë vetëm 2 kushte, që të jetë një figurë normale dhe jo politike, pra, sipas tij e kundërta e Ilir Metës. Këtë të fundit e quajti si Presidentin më skandaloz që ka pasur vendi në historinë e tij, që e ka bërë Shqipërinë qesharake.

Më 20 prill, kreu i grupit parlamentar të PS-së sqaroi se asnjë emër i propozuar nuk do të bëhet publik.

Unë nuk dua të paragjykoj sot procesin. Unë e kam thënë që mund të zgjedhim një president apo presidente të republikës me shumicë 3/5. Ne duam një president për të gjithë shqiptarët. Në asnjë moment nuk do bëjmë publik emrat e propozuar. Ne respektojmë një element shumë thelbësor. Eshtë e padrejtë të lexojmë një listë me shumë emra.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Kushdo që ka dëshirë mund të dërgojë një email, duke propozuar një emër së bashku me një argument.

Nisur nga kjo, ne në Top Albania Radio kemi ngritur një sondazh para pak ditësh. A mendoni se ka ardhur momenti për të patur një presidente grua në Shqipëri? Rezultatet ishin këto; 93% e atyre që janë përgjigjur kanë thënë se është momenti i duhur për diçka të tillë dhe vetëm 7% nuk kanë rënë dakord me diçka të tillë.

Nga ana tjetër, edhe në sondazhin në kanalin tonë në YouTube në Community përgjigjet kanë qenë deri diku të ngjashme. 79% janë përgjigjur se është momenti për të patur një presidente grua në Shqipëri, 13% janë pargjigjur me ‘jo’ dhe 8% nuk kanë qenë të sigurtë lidhur me temën në fjalë.

Ndërkohë ju ftojmë të votoni në sondazhin e ri në faqen tonë. A mendoni se ekziston liria e shtypit në Shqipëri? Votoni këtu!