Bota

Aksidenti hekurudhor në Indi, rreth 300 viktima!

Aksidenti tragjik hekurudhor në Indi, rëndohet bilanci i viktimave nga përplasja e tre trenave, një ditë më parë. Nga autoritetet vendase bëhet e ditur se ka shkuar në rreth 300 numri i personave që humbën jetën, në Indinë Lindore. Në njoftimin zyrtar, theksohej:

Numri i të vdekurve nga një përplasje e tre trenave në distriktin lindor të Indisë, Balasore është rritur në rreth 300.

Fillimisht, u njoftua për të paktën 233 viktima.

“Aksidenti hekurudhor që ndodhi të premten në mbrëmje, vrau të paktën 233”, shprehej kryesekretari i shtetit Odisha, Pradeep Jena në një postim në Twitter. Po sipas tij, rreth 900 persona mbetën të lënduar.

Sot është ditë zie në Indi, e shpallur me një vendim të qeverisë vendore. Numri i viktimave pritet që të rritet edhe më tej ndërsa ekipet indiane të kërkimit e të shpëtimit vazhdojnë punën në terren.

Pamjet që vijnë nga vendngjarja janë të rënda. Aty shihen vagona të dëmtuar që kanë mbetur mbi binarë ose pranë tyre dhe disa janë me rrota të ngjitura lart, disa me tavane të hapura të grisura e xhamat e thyer.

Për shkakun e aksidentit ende po hetohet e shumë shpejt priten përfundimet e para. Ndërkaq, mendohet se një tren pasagjerësh doli nga shinat para se të goditej nga një tjetër, në një shinë ngjitur. Në këtë aksident fatal u përfshi dhe një tren mallrash.

Një ditë më parë, përpjekjet e shpëtimit përfshinë më shumë se 115 autoambulanca. Rreth 500 njësi gjaku u mblodhën gjatë natës, me 900 njësi aktualisht në magazinë. Kryesekretari i shtetit Odisha, Pradeep Jena:

Kjo do të ndihmojë në trajtimin e viktimave të aksidentit hekurudhor. Unë personalisht u jam borxhli dhe mirënjohës të gjithë vullnetarëve që kanë dhuruar gjak për një kauzë fisnike.

Edhe ministri indian i Hekurudhave, Ashwini Vaishnaw shkoi në vendngjarje mëngjesin e ditës së sotme, për të vlerësuar shkallën e tragjedisë.