Policia dha detaje sa i përket aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Levan-Tepelenë, me pasojë shtatë të plagosur, mes tyre katër të mitur nga përplasja e dy makinave. Të lënduar mbetën dy drejtuesit, si dhe pasagjerët e automjeteve të moshave 2, 9, 10, 12 e 18-vjeç. Për fat të mirë, të gjithë janë jashtë rreziku për jetën.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
Rreth orës 19:50, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, automjeti tip “Nisan” me drejtues shtetasin R. Sh., është përplasur me automjetin tip “Honday” me drejtues shtetasin S. C.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve, 3 pasagjerët në mjetin “Nisan” (18 vjeç, 12 vjeç dhe 10 vjeç) si edhe 2 pasagjerë në automjetin tip “Honday” (9 vjeç dhe 2 vjeç), të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Burime për Top Channel bënë të ditur edhe se pesë persona u dërguan për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spital, mes të cilëve një prej fëmijëve. I mituri, në gjendje më të rëndë shëndetësore u fut në sallën e operacionit.