Aktualitet Politikë

Ambasadori gjerman: Do të shohim nëse parlamenti do t’i rikthehet realisht normalitetit!

Ambasadori gjerman, Karl Bergner reagoi pas dakordësimit të arritur dje mes opozitës dhe maxhorancës, për t’iu rikthyer normalitetit në Kuvend. Nga Korça, Bergner u shpreh se pavarësisht kënaqësisë për të parë rikthimin e Parlamentit në shinat e normalitetit, gjithçka mbetet për t’u parë në seancën e nesërme.

I pyetur nëse kanë meritë ndërkombëtarët për kthimin në normalitet të Kuvendit, Bergner deklaroi:

Nuk besoj se është nevoja të theksoj që është një kënaqësi vërtet e madhe që ne shikojmë këto zhvillime të kohëve të fundit lidhur me parlamentin shqiptar e gjithsesi do të shikojmë nesër nëse parlamenti do t’i rikthehet realisht aktivitetit të vet normal duke folur për përmbajtje pa qenë nevoja të bojkotohen seancat.

Gjithmonë e kemi theksuar në këto muaj të fundit që prej se në parlament ka nisur pra zhvillimet deri diku shqetësuese sikurse i keni konstatuar, pra kemi theksuar që një parlament funksional është një kusht mjaft i rëndësishëm për një sistem demokratik edhe për procesit e integrimit të Shqipërisë në BE.

Për ne është kënaqësi të konstatojmë që këto bisedime janë zhvilluar midis partive politike në Shqipëri. Tanimë, të shpresojmë që do të sjellin zhvillime pozitive sepse ne shpresojmë që ky lloj bashkimi i forcave politike të sjellë një dakordësi në tema të tjera të rëndësishme sikurse është Reforma Zgjedhore, por edhe tema të tjera të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.

I pyetur nëse mund të ketë zgjedhje pa pasur ndryshimet e rekomanduara në kod nga Kushtetuesja, Bergner tha se kjo është një pyetje mjaft teorike se siç u shpreh ai “ne shpresojmë që të kemi një reformë të sistemit zgjedhor dhe unë nuk mund të jap që tani konkluzionet e mia për një reformë që nuk është përmbyllur ende”.

Sikurse ju e dini, ekziston një komision parlamentar për çështjen e Reformës Zgjedhore, i cili ka afatin e tij deri më 21 mars e do të paraqesë rezultatet e punës së tij përpara parlamentit. Në momentin që do të merret vendimi në lidhje me këto rezultate, atëherë mund të shprehemi.

I pyetur nëse është momenti për të ndërhyrë në Kushtetutë, Bergner tha:

Sigurisht që deri më tani nuk kemi parë rekomandimet konkrete. Nuk kemi mbërritur deri në atë pikë dhe do ta ndjekim me vëmendje këtë proces. Eshtë sigurisht e qartë që ne kemi interes që Reforma Zgjedhore të jetë proces sa më i gjerë të jetë i mundur duke përfshirë sa më shumë interesa. Ka edhe një set të gjerë rekomandimesh të OSBE-së lidhur me këtë proces.